Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas shumë debatesh dhe diskutimesh, më në fund delegacioni shqiptar mbërriti sot pasdite në Selanik, për të marrë pjesë në seancën e diskutimeve mbi Ballkanin Perëndimor, që do të zhvillojnë përfaqësuesit e lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Ashtu siç ishte lajmëruar, delegacioni shqiptar njëlloj si dhe simboli i vendit që përfaqëson është i përbërë nga dy koka, presidenti Moisiu dhe kryeministri Nano. Megjithatë, për organizatorët grek, skema shqiptare nuk ka qenë e lehtë për t’u zbërthyer. Kështu emri i presidentit Moisiu nuk gjendej në protokoll, kryetari i dërgatës shqiptare figuronte Fatos Nano, ndërsa emri i Ministrit të Integrimit Sokol Nako, mbante për fotografi atë të Ministrit të Jashtëm Ilir Meta.

Ndonëse rregulli i samitit për vendet që nuk janë anëtare, apo kandidate për në BE, parashikon vetëm 9 anëtarë, shpura nga Tirana, që u imbarkua sot në aeroportin e Rinasit, ishte rreth 20 persona. Kryeministri Nano dhe këshilltari i tij Isaku, shoqëroheshin nga bashkëshortet e tyre dhe pastaj me radhë pjesëtarët e stafit kryeministror.

Presidenti Moisiu, i cili ndryshe nga parashikimi i Financial Times, nuk udhëtoi me helikopter ushtarak, shoqërohej nga njëra prej vajzave të tij, si dhe këshilltarët e afërt. Pas mbërritjes në Selanik, delegacioni i gjerë shqiptar ka marrë rrugën me disa makina për në hotelin “Sifonia”, ku do të qëndrojnë deri në përfundim të samitit./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori