Opinion- Skandali seksual i ish-ministrit Ylli Pango bëri bujë dhe mori vëmendjen e të gjitha medive në vend dhe botë. Kryeministri Sali Berisha reagoi me shpejtësi duke shkarkuar ministrin e akuzuar. Pas publikimit të skandalit Pango ka dhënë intervistën e tij të parë për mediat në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Gjatë intervistës ai ka deklaruar se gjithçka ka qenë provokacion për ti shkatërruar jetën. Ai gjithashtu theksoi se nuk është kërkuar në mënyrë absolute marrëdhenie seksuale dhe kërkoi falje përpra publikut që ra pre e provokimit.

“Kjo që ndodhi ishte provokacion, shantazh dhe skenar i ndërtuar në mënyrë diabolike me cinizmin më ekstrem që mund të shkatërronte jetën e çdo njeriu këtu dhe në botë. Për këtë moment që ka parë publiku dhe që është rilevuar më shumë se çdo gjë tjetër duke prerë sekuenca të tjera, unë padyshim e ndjej që duhet ti kisha rezistuar këtij provokacioni dhe për atë moment i kërkoj vërtetë falje publikut, por theksoj që në atë moment që është shfaqur nuk kam kërkuar asnjë raport. Një pjesë e prerë e kasetës tregon shumë për pjesën e dytë të saj. Absolutisht vajzës nuk i është kërkuar marrëdhënie seksuale, i është kërkuar të ekspozohet me rrobabanjo dhe kjo mund të verifikohet sepse ka mjaft pavione sot në botë ku ekspozohen femra me rrobabanjo dhe kam menduar që këtë ta bëjmë dhe në panairin tonë. Por përpara se të ndodhte kjo mund të them që kjo vajzë është shumë e njohur për mua dhe nuk është njohur aty për herë të parë. Kamera nuk e ka paraqitur, por ajo ka ardhur tek unë me treçerekun e gjoksit jashtë. Kjo vajzë e cila ka ardhur tek unë dhe ka kërkuar punë, ka ardhur me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Filip Çakulit me të cilin njihem prej 30 vitesh. I kam ofruar punë dhe nuk i kam kërkuar asnjë takim në shtëpi. Vajzës i është kërkuar të vijë edhe në mëngjes, por s’ka ardhur, më ka thënë që ishte e zënë dhe i thash që mund të vinte kur të donte. Ajo vajzë u larguar sepse nuk u realizua me të ajo pjesë e skenarit të përgatitur nga Filip Çakuli dhe padroni i tij Edi Rama. Më pas ka ardhur një tjetër vajzë me të cilën jam njohur në një emision si “Opinioni” juaj, por për arsye etike nuk po ia them emrin. Ajo është e njohura ime dhe kam deklaruar që ka qenë edhe problem personal. Kjo vajzë më ka kërkuar edhe shkollë kur kam qenë dekan. Jam habitur nga transformimi i saj. Është e dëshmuar që ne të dy njihemi. Më ka marr në telefon në darkë dhe i kam thënë që jam në shtëpi. Ajo u tregua e gatshme të vinte dhe ka ardhur me një pamje të transformuar. Jemi ngjitur lart dhe kemi nisur bisedën për peshën dhe i kam kërkuar ti shikoj lëkurën duke marrë parasysh kofidencat që kam pasur me të më përpara. Provokacione të tilla janë nga më të rrezikshmet dhe janë skenarë të palejueshëm sepse kanë qëllim të përcaktuar. Kur ka thënë të dal nudo i është thënë jo, me rrobabanjo. Ky është momenti që më ka goditur dhe për të cilin bëj apologji të thellë, por theksoj se nuk është kërkuar seks. Rashë pre e provokimit në një moment. Kjo pjesë është shkëputur, është bërë xhiro në mediat botërore dhe unë dhe familja ime jemi traumatizuar”, tha Pango./tvklan.al

I ftuar: Ylli Pango,  ish, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë.