Artan Broci: “E mitura L.G kishte një histori shumë të veçantë. Ajo kishte babain e saj të dënuar me 25 vjet burgim për vepër penale të vrasjes, ishte e braktisur nga e ëma e saj. Që në moshën 12-vjeçare bashkëjetonte me një person tjetër, i cili dhe ai ishte i pandehur në këtë proces. Jeta e saj ishte një ferr i vërtetë. Ishte hera e parë që kishte rënë në konflikt me ligjin dhe e nxitur nga ky i rrituri për të kriju një vjedhje. Gjykuam që kishte vend për të aplikuar nenin 59 për pezullimin e ekzekutimit të dënimit pavarësisht se vepra parashikonte dënimin deri në minimumin 6 muaj”.

Në 1 shtator të vitit të shkuar në Gjykatën e Tiranës u ngritë seksioni i të miturve, ku 2 gjyqtarë të kësaj gjykate do të shqyrtojnë dhe vendosin deri dhe masat e arrestit për të miturit të vënë nën akuzë.

Artan Broci: “Kemi pasur eksperienca që të miturit u arrestoheshin për veprat të lehta, në një kohë që konventa europiane për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve e ratifikuar nga shteti shqiptarë që në ’92 dhe ishte pjesë e legjislacionit të brendshëm e ndalonte një gjë të tillë. Kemi raste nga më të çuditshmet, kemi raste të miturit që bien aksidentalisht në konflikt me ligjin, për shkak të moshës, për shkak të zhvillimit, për shkaqe psikosociale apo ekonomike të cilat ndikojnë që i mituri të bie në konflikt me ligjin të merret pastaj domosdoshmërish me cilësinë e të pandehurit”.

Të dhënat më të fundit tregojnë se mbi 84 të mitur janë marrë të pandehur. Në 98% të rasteve ata nuk janë rikthyer më në qelitë e paraburgimit dhe kjo sipas Brocit falë një bashkëpunimi shumë të mirë me UNICEF dhe qendrën “Don Bosko”.

Artan Broci: “Është një traditë jo e pëlqyeshme por që dhe në kohën më përpara ka pasur shkolla edukimi. Ka pasur shkolla që janë njohur si shkolla të riedukimit, për të cilat në vetvete kanë qenë burgje minorenësh. Nuk kanë sjellë asnjë eksperiencë pozitive në gjykimin tim dhe kjo eksperiencë ka vazhduar apo është humbur, duke i bashkuar të miturit dhe të rriturit në burgjet të zakonshme dhe në burgje të sigurisë së lartë”.

Në fund të vitit në Kavajë pritet të përfundojë ndërtimi i burgut të parë dhe të vetëm për minorenët me një kapacitet prej 40 vetësh. Në Ministrinë e Drejtësisë, drejtori i projekteve për ndërtimin  e burgjeve Fatos Bundo, na dëshmon pamjet që do të ketë godina për të miturit.

Fatos Bundo: “Ka të përfshira të gjithë ambientet e nevojshme rekreative, që do të ketë nevojë një i mitur duke përfshirë shkollën që do të zhvillojmë seancat mësimore, palestrat, fushat e tenisit, fushat e futbollit, salla polivalente, takime me familjarët, do të ketë mini-apartamente, për të cilët i mituri ka nevojë për një ngrohtësi nga pjesëtarët e familjes. Kapaciteti siç e thashë është për 40 të mitur pavarësisht se sot nuk ekzistojnë 40 të mitur në institucionet tona të vuajtjes së dënimit, janë më pak, por për një perspektivë të ardhshme dhe për vetë karakterin që ka ky institucion ndofta numri mund të rritet ose mund të përdoret si një institucion jo i vuajtjes së dënimit po një institut për rehabilitimin e të miturve”.

Dhe pse Shqipëria ka ratifikuar me dhjetëra ligje që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, sërish ata kthehen në protagonist të krimeve nga më monstruozet fëmijë që vjedhin, që vrasin dhe përdhunojnë, që shfrytëzohen dhe shiten për trafik organesh.

Tragjedia e Gërdecit dhe pse u cilësua si një krim i mirëfilltë shtetërorë pati si dëshmitarë dhe protagonist fëmijët. Janë me dhjetëra fëmijë që ishin punësuar në një fabrikë çmontimi, por derisa parlamenti shqiptarë të miratoj ndryshimet në kodin e procedurës penale për krimet ndaj tyre, nuk do të përgjigjet njeri./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani