Babai i Anita Bitrti, këngëtares vlonjate që u gjet e vdekur brenda shtëpisë së saj në Amerikë së bashku me vajzën Sibora dhe nënën e saj, shpreh dyshimin për shkakun e vdekjes si dhe apelon për të sjellë kufomat e për t’i varrosur ato në vendlindje.

“Ajo ishte para tre muajsh këtu, por fatkeqësisht u njoftua se burri i saj ishte në pragun e vdekjes. Këtu qëndroi shumë pak dhe derisa u kthye ajo në Amerikë, ai ndërroi jetë pas 5 orësh. Mendoj se do të kemi dhe mbështetjen e shtetit për të na krijuar mundësi për të sjellë trupat e tyre në vend, në Shqipëri që të kemi se ku të vendosim një vazo lule, të kemi ku të ngushëllohemi dhe që trupi i Anitës të pushojë në atdheun e saj të dashur.”

Edhe motra e këngëtares, e tronditur nga kjo vdekje e trefishtë, tregon se si e ka marrë vesh lajmin.

“ Një tragjedi e paparë, të zëna në gjumë në befasi, a si të them unë, nuk e di se jemi shumë larg. S’kam çfarë të them, jemi shumë të tronditur, dhembje e tmerrshme për të gjithë familjen tonë.”

Ndërsa kompozitori Flamur Shehu, me të cilin Anita ka bashkëpunuar pothuajse për të gjitha pjesëmarrjet e saj në aktivitet e ndryshme kulturore, tregon edhe një nga premtimet e parealizuara të Anitës. Pas një mungese disavjeçare, Anita do të merrte pjesë në festivalin e fundvitit.

Flamur Shehu: “Me keqardhje po them që është një dhembje e madhe, jo vetëm për mua personalisht, por mendoj edhe për ambientin ku ne jetojmë, në art dhe kulturë. Anita ka pasur një gjë jashtëzakonisht të madhe në krahasim me të tjerët: ka qenë me një bon sens, tek Anita nuk ekzistonte xhelozia, Anita interesohej që këngëtarët e tjerë të kishin suksesin, pra ecte paralelisht me njerëzit dhe shfaqi dëshirën për të marrë pjesë në Festivalin e Radio Televizioni, sepse ajo e ndiente që një artist, një këngëtar, vetëm ajo skenë mund ta promovojë dikë dhe, jo vetëm për të mos u harruar, por për të treguar që ajo vazhdon jetën artistike dhe një premtim pak a shumë ia dhashë, por fatkeqësisht nuk ishte e mundur për ta realizuar.” /tvklan.al