Ish-Presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, është dënuar me 45 vite burg për trafik droge nga një gjykatë amerikane. Hernandez është shpallur fajor në muajin Mars për komplot për të importuar kokainë në SHBA, si dhe për posedim të pajisjeve shkatërruese, ku përfshihen dhe mitralozë.

Prokurorët në Nju Jork e akuzuan ish-presidentin teksa thanë se ai drejtonte Amerikën Qendrore si një narko-shtet dhe se kishte pranuar milionë Dollarë rryshfet nga trafikantët e drogës për t’i mbrojtur ata nga ligji.

“Ai shtroi një autostradë kokaine për në SHBA, ku mbrohej nga armë zjarri”, thanë prokurorët në fjalën e tyre para se gjykata të jepte dënimin për ish-presidentin Henandez. Përveç dënimit me 45 vite burg, ai u gjobit me 8 milion Dollarë.

“Unë jam i pafajshëm. Jam akuzuar pa të drejtë”, tha Hernandez në seancën gjyqësore sipas “Associates Press”. Referuar të njëjtit burim, gjykatësi e quajti atë një politikan me 2 fytyra të uritur për pushtet. Ish-presidenti është mbajtur në një burg në Bruklin që nga ekstradimi i tij në SHBA.

Hernández ishte president i Hondurasit nga viti 2014 deri në vitin 2022, duke shërbyer për dy mandate radhazi në vendin me mbi 10 milionë banorë. Tre muaj pas largimit nga detyra, ai u ekstradua në Nju Jork dhe u arrestua në Prill të 2022-shit për t’u përballur me akuzat në SHBA.

Më parë, ai është parë si një aleat i fortë i SHBA-ve, të cilat i dërguan Hondurasit më shumë se 50 milionë Dollarë në ndihmë kundër narkotikëve, si dhe miliona Dollarë shtesë për ndihmë ushtarake.

Juan Orlando Hernandez akuzohet për partneritet me disa nga trafikantët më të mëdhenj të narkotikëve në botë për të ndërtuar një perandori të korruptuar bazuar në trafikun e paligjshëm të tonëve me kokainë në Shtetet e Bashkuara./tvklan.al