John Withers: “Opinioni im është se kjo zonë nuk është bërë ende e sigurt dhe po ndërtoni shumë pranë materialeve ende të rrezikshme.”

Vera Zguri: “Vetëm këtë kërkojmë nga shteti, banohet apo nuk banohet.”

Mjafton një fjali për të shkaktuar rebelimin e këtyre njerëzve, të cilëve iu nevojiten gjithnjë e më pak dilemat për t’iu rikthyer jetës.

Të shkatërruar nga ajo çka ndodhi rreth pesë muaj më parë thirrjet i drejtohen shtetit që edhe sot duket të ketë pak përgjigje ose të paktën jo bindëse.

Vera Zguri: “Tani erdhi vjeshta. Ne do ta mbjellim tokën. Na garanton kush ne se këto perime hahen?”

Vera, gruaja e veshur në të zezë për shkak se ka humbur një prej të afërmve të saj, një vajzë vetëm 19 vjeç, na thotë se do të vazhdojë punën për ndërtimin e shtëpisë.

Banesa e saj ndodhet shumë pranë asaj që njihet si zonë e infektuar. Përtej gardhit prej telash me gjemba ndodhen plot 4 mijë ton municione të rrezikshme, nj fakt që nxiti ambasadorin amerikan në Tiranë të thotë se në këtë zonë nuk duhet të ndërtohet, por Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, garantoi banorët se nuk duhet të druhen nga asnjë shpërthim.

Kaq ka mjaftuar që banorët e Gërdecit të lexojnë nota dyshimi tek autoritetet.

Vera Zguri: “Ambasadori tha këtu është zonë akoma e rrezikshme. Se kujt t’i besojmë nuk e di. Askush nuk e merr përgjegjësinë tamam me thënë se ju këtu jeni të sigurt, po punoni.”

Pak metra më tej, gjithnjë shumë pranë zonës së rrezikshme, ndodhet familja e Bajram Muratit.

Të gjithë pjesëtarët e familjes, më e vogla vetëm dy vjeç, që prej shpërthimit jetojnë në një çadër, në diell dhe në shi.

Një jetë e improvizuar mes pemësh dhe një toke të papunuar për shkak të frikës së ndonjë shpërthimi të mundshëm.

Çfarë ndodhi në 15 Mars është më shumë se e freskët për Bajramin, që si mbetet veç të falenderojë Zotin që të gjithë të dashurit e tij janë gjallë.

Bajram Murati: “Na ka zënë plasja e parë aty tek ajo, tek ata lisat në cep të asaj rrugës aty lart. Pastaj prapë dhe tjetra ma lart aty në atë kodër aty edhe me një fjalë s’kemi parë njeri tjetër me i shtri barkas na ka hedh kshu mbi 4-5 metra hava.”

Largimin prej këtej Murati e sheh po aq të rrezikshëm sa edhe qëndrimin.

Bajram Murati: “Hë ku të shkojmë? Ku t’ia mbajmë ne, hë? Ata tani ne tashi mos të na linin me vazhdu punimet që në fillim edhe ne s’kishim bërë asnjë farë veprimi. Tani ne tashti jemi në gjysmën e përfundimit të punës”.

Ruzhdia, një prej punëtoreve të fabrikës së vdekjes është rikthyer në shtëpi disa ditë pas shpërthimit.

Ruzhdie Halili: “Unë jam këtu në krye të tre ditëve, dmth me 25 ka ndodhur kjo, me 17 kam ardhur këtu”.

Asgjë nuk duket ta ndalë këtë grua të jetojë në Gërdec.

Ruzhdie Halili: “Si ndjehena? Atij sot iu mbush mendja? Me ardh sot mbas pesë muajsh këtu? Të vinte me kohë të na thonte, ndaç neve na ka thënë gjithë në fillim, ndërtoni se mbajmë ne përgjegjësi. Ata të vijnë të ballafaqohen me ne…”.

Banorët vazhdojnë të ndërtojnë. Lajmi për rikthim të rrezikut është përhapur me shpejtësi edhe atje ku tragjedia nuk ka lënë asnjë televizor për t’u informuar.

Biseda me ta të lë shijen se çfarë vlen më pak është jeta, por ndërsa i takon banorët shtëpi më shtëpi kupton se kjo është e vetmja mundësi për të mbijetuar.

Vera Zguri: “Ne nuk duam më vdekjen, tashi ne duam të jetojmë. Ne jemi t’u mbijetu”.

Gazetarja: Kjo tabelë tingëllon si një dëshmi e asaj se çfarë ka ndodhur në Gërdec në 15 Mars të këtij viti. E dëmtuar nga vetë banorët, ndoshta për të zhdukur çdo element që të kujton shpërthimin tragjik. Gjatë xhirimeve tona këtu një vajzë na u lut që të sqarojmë nëse jetohet apo jo në Gërdec, një dilemë kjo e ngritur pas vizitës së ambasadorit amerikan në Tiranë. Nga Gërdeci për TV Klan, Menada Zaimi”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi