Dita e mbarë duket që në mëngjes dhe këtë më shumë se kushdo tjetër e kanë ndjerë operatorët turistikë në bregdetin e Durrësit.

Kapriçot e motit që prej fillimit të sezonit kanë prerë hovin e pushuesve duke ulur ndjeshëm frekuentimin e plazhit.

Zbrazëtia e tij ndihet thuajse në të gjithë vijën bregdetare. Restorantet e hapura pak ditë më parë kanë ulur ritmin e punës, ndërsa çadrat dhe shazllonet qëndrojnë të mbyllura në pritje të një dielli më të fortë.

Vetë operatorët shprehen nëse do të vazhdojë moti i paqëndrueshëm ky vit nuk do të jetë dhe aq i mbarë.

“Koha ka bërë të vetën. Ka qenë e paqëndrueshme. E shtuna, e diela kanë pas nga pak lëvizje, kurse ditët e javës qetësi e plotë. Deri tani biznesi është shumë shumë dobët.”

“S’është aq fillim i mbarë sikur ka qenë vitin 2007. Në 2007-tën ka qenë më e mirë. Plazhi ka filluar pak më herët. Sivjet është koha pak më ndryshe”.

“Por nëse vazhdon mirë mendojmë që do të dalim mirë. A kështu nëse vazhdon atëherë s’ke si të dalësh mirë se s’ka klientë.”

Në pritje të gumëzhimave që do të rizgjojnë plazhin e Durrësit urimi më i mirë për operatorët turistikë, por edhe për pushuesit mbetet ngritja sa më e shpejtë e temperaturave dhe rikthimi i verës së nxehtë./tvklan.al