Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ditëve të fundit, deklaratat e zyrtarëve të policisë dhe KFOR-it janë keqinterpretuar nga ana e mediumeve serbe dhe kjo ka ngjallur reagime të ashpra nga ana e zëdhënësve të policisë së UMNIK-ut dhe KFOR-it. Të gjitha këto deklarata lidhen me spekulimet e fundit, se në Kosovë është duke vepruar Armata Kombëtare Shqiptare.

Rastet e fundit sipas zyrtarëve të policisë së UMNIK-ut, janë tendencë e disa mediave serbe, që të përgënjeshtrojnë gjendjen aktuale në Kosovë, duke thënë se në këtë vend është duke u zhvilluar një luftë guerile nga ana e shqiptarëve të armatosur, që në fakt nuk është e vërtetë. Zëdhënësi i UMNIK-ut Fletcher, ka dënuar rëndë këto publikime të rreme të fjalëve të policisë dhe KFOR-it në Kosovë. Kjo duket se është një fushatë e desinformimit, tha ai.

Kjo fushatë është duke u zhvilluar me qëllim të vetëm, që të krijohet një klimë e frikës dhe pasigurisë, duke thënë, se në Kosovë vepron guerila, e cila është duke u përgatitur që të hyjë në territorin e Serbisë, theksoi ai. Ai theksoi, se këto raportime të shtrembëruara të mediave serbe në një masë, ka ngritur tensionin në Kosovë, por megjithatë shumica e njerëzve nuk u besojnë këtyre raporteve.

Në realitet siç konfirmon zyra për informim e policisë së UMNIK-ut, këta kanë thënë, se ekziston mundësia për mbajtjen e një demonstrate në portën 5 të kalimit kufitar, ndërkaq që terrorizmi as që është përmendur. Disa ditë para se të publikohej ky lajm në agjencitë serbe të lajmeve, polici sekrete në Luginën e Preshevës ka arrestuar 12 shqiptarë, menjëherë pasi që zv/kryeministri serb Nebojsha Çoviç, ka etiketuar UÇPMB dhe Ramush Haradinaj, si kriminel të cilët merren me krim të organizuar.

Gjithashtu një lajm tjetër i publikuar nga ana e Tanjuk dhe të përditshmes Danas, ka cituar zëdhënësin e policisë së UMNIK-ut, duke thënë se Kosovë ekzistojnë grupe terroristësh. Policia në Prishtinë thekson të kundërtën, duke thënë se zëdhënësi ka thënë në të vërtetë, se nuk është në dijeni për grupe të tilla ekstremistësh./tvklan.al