Koalicioni qeverisës në Serbi rrezikon të përçahet më shpejt se sa ishte menduar.

Ka kaluar vetëm një javë nga arritja e marrëveshjes, e cila u pasua nga krijimi i qeverisë së re, por duket se diçka nuk ka shkuar në plotësimin 100% të saj.

Kreu i Partisë Demokratike, Boris Tadiç, ka kërcënuar socialistët se është gati të prishë aleancën me ta nëse Partia Socialiste nuk pranon të qeverisë edhe në nivel lokal në Beograd me demokratët.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja serbe, “Blic”, e cila citon burime të larta nga demokratët e presidentit Tadiç.

Afro një muaj më parë socialistët arritën koalicion me Partinë Demokratike të Serbisë, të udhëhequr nga ish-kryeministri, Vojisllav Koshtunica, për drejtimin e bashkisë së Beogradit.

Mesa duket kjo është konsideruar si e tepërt nga Blloku për Serbinë evropiane. Sipas të përditshmes, Verçenje Novosti, konstituimi i asamblesë lokale të Beogradit më 22 Korrik do të tregojë nëse kreu i Partisë Socialiste, Viça Daçiç, do t’i shkëpusë ata nga koalicioni me Koshtunicën./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka