Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik ka dënuar aktin e dhunës të ndodhur në asamblenë zgjedhore. Ngjarja sipas presidenti ende në fuqi Hysen Domi, ka cenuar rëndë imazhin e lëvizjes olimpike. Domi ka bërë thirrje komunitetit sportiv të distancohet nga dhuna dhe mungesa e etikës.

Hysen Domi: “Nga dhuna  e djeshme në ambientet olimpike, apo nga dhuna në mbledhje të asambleve të federatave sportive. Këtu nuk mund të mos përmend asamblenë e fundit të Federatës Shqiptare të mundjes, humbasim gjithë ne si aktor të sportit dhe olimpizmit të sjelljes sportdashësit që kanë sytë nga ne. I bëjmë thirrje komunitetit sportiv që t’i thotë ndal dhunës dhe mungesës së etikës kudo që ato do të rishfaqen”.

Kërkesën e kandidatit për president Esat Ademi, për votimin e sportistëve olimpistë e ka hedhur poshtë avokati i komitetit olimpik, njëkohësisht edhe anëtar i komitetit ekzekutiv Genc Boga.

Genc Boga: “U mblodhën sportistët në pistë, dërguam kryetarin e kasit. Në mbledhje me ta nuk dëgjuam asnjë feedback negativ, asnjë koment negativ. Mesa di unë zgjodhën 2 veta që t’i përfaqësonin dhe Klodiana Shala, që është anëtare e komitetit olimpik 3 veta. Ne e quajtëm të mbyllur. Unë pash Elis Gurin edhe nuk pashë njeri tjetër, Klodiana Shala ishte e dyta nga sportistët olimpistë, e ka votën dmth të tjerët ishin në sallë mos harroni, të tjerët ishin në sallë dhe mund të votoni nuk është se kishte noj problem”.

Veprimet e Komitetit do të ndërmerren pas këshillimit me komitetin olimpik ndërkombëtar. Pas këtyre bisedimeve do të vendoset edhe data e asamblesë së ardhshme./tvklan.al

Gazetari: Erion Todhe

Operator: Klodian Keçi