Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka dalë kundër porosisë së Ministrisë së Sporteve për t’i zhvilluar sa më shpejt asambletë zgjedhore të klubeve.

Pas një mbledhjeje të komitetit ekzekutiv të KOKSH, presidenti i këtij organizmi, Hysen Domi, e ka konsideruar të paligjshëm nga ana e ministrisë ngritjen e grupit të monitorimit të asamblesë zgjedhore të KOKSH.

Hysen Domi:“Unë e dëgjova deklaratën e ministrit që i dha publikisht hapësirë të plotë federatave sportive për të ndërtuar dhe për të ngritur organizimin e zgjedhjeve të tyre të hapura dhe sipas statuteve të tyre. E përshëndes si deklaratë, por do ta ftoja me shumë dashamirësi ministrin që atë që deklaroi publikisht ta bëjë dhe materialisht duke i dërguar tërë federatave sportive dhe KOKSH-it një kundërpërgjigje të urdhrit për organizimin e asambleve zgjedhore brenda muajit Dhjetor.”

Sipas Domit asambleja zgjedhore e KOKSH do të zhvillohet më 6 Dhjetor dhe do të kryhet duke u bazuar në statutin e komitetit.

Hysen Domi:“Stop presioneve federatave sportive. Unë jam i bindur dhe besoj në deklaratën publike të ministrit për ta lënë federatën të organizojë zgjedhjet ashtu siç i mendojnë ato”.

Pak ditë më parë Ministria e Sporteve porositi federatat të zhvillonin asambletë zgjedhore për të patur me pas të drejtën të merrnin pjesë në asamblenë zgjedhore të KOKSH. Në këtë asamble do të votohet për drejtuesit e rinj të KOKSH./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe