Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni parlamentar i medias i kërkon Këshillit Mbikëqyrës të Radiotelevizionit Publik të marrë masa ndaj drejtorit të përgjithshëm Artur Zheji, deri në shkarkimin e tij, nëse ai nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit dhe nuk paraqitet në këtë komision parlamentar.

Drejtori Artur Zheji nuk u paraqit në komisionin e medias, ku ishte thirrur për të diskutuar mbi tenderin e shumëpërfolur të transmetimit të ndeshjeve të kombëtares së futbollit. Sipas ligjvënësve, ky është ekskluziviteti i transmetuesit publik de pritej sqarimi për mospjesëmarrjen e Televizionit Publik Shqiptar, në tenderin e zhvilluar në FSHF.

Kryetari i Këshillit Mbikëqyrës Kiço Blushi, nuk ishte në gjendje të diskutonte mbi këtë çështje, madje ai shfaqi pakënaqësitë për drejtorin Zheji, duke iu referuar mangësisë së informacionit mbi balancën politike në emisionet e lajmeve, si dhe bllokimit të reformës në RTVSH.

Kiço Blushi: “Neve akoma nuk kemi analizuar informacionin se çfarë po bëhet nga drejtoria e përgjithshme dhe nga bordi i administrimit, për problemin e reformës. Në këtë çështje vjen pyetja, çfarë bën këshilli drejtues? Këshilli Drejtues në çdo mbledhje e ka pasur preokupim, por vjen problemi që nuk vijnë materialet, nuk lëvizet asnjë gjë”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj