Komisioni i posaçëm parlamentar për kodin zgjedhor po punon për hartimin e një ligji të ri zgjedhor dhe jo për amendimin e kodit aktual.

Pas mbledhjes së parë pas konstituimit të komisionit bashkëkryetari socialist, Fatmir Xhafaj, tha se është miratuar pjesa e parë e kodit të ri zgjedhor ku janë përfshirë kryesisht çështje të karakterit teknik të zgjedhjeve.

Fatmir Xhafaj: “Kemi kaluar pjesën e parë të këtij kodi që ka të bëjë me parimet e përgjithshme, me përkufizimet, me orarin, me votimin dhe me caktimin e vëzhguesve dhe të drejtave e tyre. Radhën që vjen kemi regjistrimin e subjekteve zgjedhore, koalicionet, partitë politike, kandidatët që vijnë si propozim i një grupi zgjedhësish dhe më pas do jetë grupi që ka të bëjë me listat zgjedhore”.

Xhafaj ka rikonfirmuar faktin se po punohet për të miratuar ligjin e ri zgjedhor brenda muajit Korrik.

Komisioni për kodin zgjedhor do të funksionojë deri në fund të këtij muaji, kohë kur i përfundon mandati që i përcaktoi parlamenti.

Ndryshe nga komisionet e tjera të reformës zgjedhore në të janë të përfaqësuar vetëm krerët e grupeve parlamentare./tvklan.al