Siç ishte parashikuar edhe në axhendë, një fjalë në Kongresin e PS-së e mban edhe Fatmir Xhafaj, i cili është zgjedhur së fundmi si kryetar i komisionit anti-korrupsion. E sa i përket këtij komisioni ai tha se puna e saj nuk cënon reformën në drejtësi. Sfidë sipas tij janë mirëqeverisja, anti-korrupsioni dhe sundimi i ligjit që synojnë anëtarësimin në vitin 2030 të Shqipërisë në BE. Kjo kërkon një proces gjithëpërfshirës sipas tij.
“E gjithë kjo do të realizohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent, profesional dhe në standardet më të mira ndërkombëtare ku do të angazhohen edhe 60-70 ekspertë të pavarur vendas e ndërkombëtarë, me mbështetjen e mbi 100 eskpertëve të angazhuar nga institucionet e pavarur dhe në një proces konsultimi të gjerë debatesh e forumesh publike me institucionet qendrore e vendore si dhe drejtpërdrejt me qytetarët. Na takoi përsëri ne ta bënim këtë betejë sepse ne besojmë në atë që themi. Na takon ne ta bëjmë përsëri edhe me shtrirjen e dorës ndaj kundërshtarëve, paçka se ata mbajnë mbi të topin e baltës për ne.
Unë e di që kur thuhet shumë herë një gënjeshtër edhe ai që e di të vërtetën fillon ta besojë atë. Ndaj dua ta ndaj njëherë e mirë këtë. Reforma e re nuk cënon asgjë nga Reforma në Drejtësi dhe kushdo që e shpërndan këtë tymnajë është i friguar nga të dyja. Nëse për reformën në drejtësi, institucionet e drejtësisë ishin objekt reformimi me reformën e re institucionet e reja të drejtësisë janë partnerë të këtij procesi reformimi në respekt të plotë të ndarjes dhe balancës së pushteteve”, tha Xhafaj.
Një ndër arritjet më të mëdha të PS-së cilëson reformën në drejtësi. Pa angazhimin e PS-së, sipas Xhafajt ajo nuk do të mund të ishte realizuar dot.
“Ishte PS ajo që ideoi udhëhoqi dhe organizoi reformën më të madhe shtetndërtuese, reformën në drejtësi, e cila më të drejtë quhet reforma më e thellë historike në këto vite tranzicioni. Edhe ajo kaloi me një fortune. Sot jemi koshient që reforma në drejtësi e futi vendin përfundimisht në shtratin e një shoqërie demokratike të shtetit të së drejtës, pasi garantoi në realitet parimin kyç të demokracisë dhe mirëqeverisjes, pavarësinë e tre pushteteve përmes mekanizmave të fortë kushtetues si garanci për ndarjen dhe balancën mes tyre. Ky projekt nuk u ndërtua as në një muaj dhe as në një vit, as u importua dhe as u dhurua, kush mendon ndryshe gabon, nuk e njeh historinë. Ajo u punua nga ne PS dhe mori jetë vit pas viti, e hap pas hapi, fale nesh Partisë socialiste të Shqipërisë”, tha Xhafaj.
Një fjalë e pati edhe për kundërshtarët politikë.
“Na vjen shumë keq që kanë mbetur po ata që ishin shekullin e kaluar. Po nuk them dot që na vjen keq që po marrin po atë rezultat që do të marrin edhe vitin tjetër”, tha ai./tvklan.al