Masat kundër përhapjes kanë reduktuar ndotjen e ajrit

Globi ka nisur të marrë frymë, teksa qeveritë botërore i kanë bërë bllokadë transportit dhe industrisë. Shkencëtarët amerikanë kanë konstatuar rënie drastike të ndotjes së ajrit në disa prej metropoleve të botës, gjatë këtyre ditëve kur po aplikohen masa të jashtëzakonshme kundër përhapjes së koronavirusit, që i kanë detyruar njerëzit të qëndrojnë nëpër shtëpi.

Rënien më të lartë me 50% e ka monoksidi i karbonit që çlirohet nga djegia e karburanteve nga motorët e automjeteve. I konsiderueshëm po ashtu është edhe reduktimi i dioksidit të karbonit i çliruar masivisht nga industria dhe që është ndër shkaktarët kryesorë të rritjes së mesatareve të temperaturave globale. Nga matjet e kryera në Nju Jork, këto ditë është konstatuar rënie me 5 – 10% e dioksidit të karbonit dhe po ashtu i gazit metan. Trafiku në metropolin amerikan ka rënë me 35%.

Këto pamje satelitore të Agjencisë Europiane të Hapësirës tregojnë reduktimin drastik të ndotjes në Europë këtë muaj, kryesisht në Italinë e veriut, që ka nivelet më të larta të ndotjes në kontinent, për shkak të masave drastike kundër koronavirusit. Masa të tilla kanë reduktuar ndotjen edhe në Kinë.

Tv Klan