Prokuroria dhe policia kanë zbardhur një skemë korrupsioni në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë. Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët.

Për mjekun Edmond Gashi u miratua kërkesa e prokurorisë për masën “arrest shtëpie”, ndërsa për kolegen e tij Alketa Ymeri dhe zv.drejtoreshën e qendrës spitalore, masa “detyrim paraqitje”.

Mes të proceduarve është dhe koordinatori në QSUT, Emiljano Lela, ish-specialisti Drilon Kishta, Halil Gashi administrator i klinikës private “Megis” dhe Florian Marku pronari i “Flori Farma”.

Për këta persona institucioni i akuzës kërkoi dhe u miratua nga gjykata që të hetohen në masën detyrim paraqitje. Mbi ta rëndon akuza shpërdorim detyre, fshehje e të ardhurave dhe tregtim i mallrave kontrabandë.

Prokuroria thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi.

“Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë  dhe duke përdorur detyrën e vetë nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria ka dokumentuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmacitë. Ato I tregtonin ilaçet pa pullën fiskale dhe me kod të prishur. Flakoni për kimion varion nga 250 Euro deri në 1500 euro. Gjatë operacionit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme ilaçesh  kontrabandë dhe një shumë prej 120 mijë eurosh në subjektin “Flori Farma”.

Prokuroria thotë se në spitalin onkologjik ka qenë e instaluar aparatura e terapisë së kobaltit, por për vënien e tij në punë nuk është ngritur bunkeri antiradioaktiv. Kjo pajisje ndodhet jashtë kushteve teknike duke u kthyer në rrezik për stafin mjekësor.

Klan News