Brenda pak javësh dokumentat e udhëtimit të UNMIK-ut, të cilat janë shfrytëzuar nga kosovarët deri më tash do të dalin nga përdorimi. Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti, në një intervistë për TV Klan thotë, që nga 1 korriku kjo ministri do të fillojë lëshimin e pasaportave të reja të shtetit të Kosovës.

Zenun Pajaziti: “Me fillimin e muajit korrik qytetarët e Kosovës do të mund të aplikojnë për t’i marrë pasaportat e tyre, pasaportat për qytetarët e republikës së Kosovës”.

Përveç pasaportave, ka mesi i korrikut pritet të lëshohen edhe kartat e identitetit, patentë shoferash dhe certifikatat e lindjes. Dokumentet e reja do të jenë në 3 gjuhë shqip, serbisht dhe anglisht. Aty do të figurojë stema e shtetit dhe mbishkrimi republika e Kosovës. Dokumentet e reja nuk dallojnë shumë nga dokumentet e deri tashme, për më tepër ato janë dizajnuar nga e njëjta kompani.

Zenun Pajaziti: “Me 1 korrik ata janë zotuar se do ta binë kontingjentin e parë prej 10 mijë pasaportave dhe të cilët do të fillojë menjëherë të shpërndahen për aplikuesit, për aplikantët. Përderisa do të fillojë të vazhdojë shpërndarja e tyre ne i besojmë që do ta kemi dhe kontingjentin tjetër. Brenda vitit do ta kem një numër solid të qytetarëve me pasaporta të reja. Mirëpo ky proces i shndërrimit ose i ndërrimit të të gjitha dokumenteve ekzistuese të UNMIK-ut me pasaporta të reja, ndoshta do të zgjasë më shumë, po me rëndësi është që prej datës 1 korrik qytetarët do të fillojnë të marrin pasaportat tona, pasaportat e republikës së Kosovës”.

Ministri Bajaziti thotë, që dokumentet e reja të Kosovës do të jenë valite në të gjithë shtetet që e kanë njohur deri më tash Kosovën. Ndërkohë paralajmëron që autoritetet e Prishtinës do të insistojnë që edhe shtetet që deri më tash nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, t’i pranojnë dokumentet e reja të udhëtimit.

Zenun Pajaziti: “Të gjitha ato shtete që na kanë njohur ne praktikisht, që e kanë njohur pavarësinë e republikës së Kosovës, ato do të njohin automatikisht edhe dokumentat e shtetit tonë”.

Ndryshe deri më tash qytetarët e Kosovës kanë shfrytëzuar dokumentet e udhëtimit të UNMIK-ut, të cilat nga shumë shtete nuk janë njohur kurrë, për kundër që ato vende janë anëtare të Kombeve të Bashkuara./tvklan.al