Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka mundur të marrë një vendim zyrtar për ngritjen e 385 komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore pranë çdo komune dhe bashkie për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në bazë të kodit zgjedhor në këto komisione do të përfaqësohen me nga një anëtar 7 parti që kanë fituar më tepër vota në zgjedhjet e fundit lokale.  

Komisioni Qendror Zgjedhor është në dilemë për përfaqësimin e partive të Bashkimit për Demokraci në këto komisione. Ky grupim kishte nënshkruar një marrëveshje elektorale për zgjedhjet lokale, për ndarjen në përqindje të rezultatit të përbashkët. Nëse KQZ, do të bazohet në këtë marrëveshje partitë e djathta do të përfitojnë shumicën në komisione zgjedhore të qeverisjes vendore, të përbëra nga 7 anëtarë.

Përfaqësuesit e PD, nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e KQZ, ndërkohë që përfaqësuesit e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partisë Demokristiane u shprehën, për shtyrjen e vendimit për ngritjen e komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore, deri në përfundimin e tryezës pozitë-opozitë, më datën 12 Mars. Kjo kërkesë nuk u pranua nga komisionerët, ndërsa kryetari Celibashi përsëriti ftesën për bashkëpunim me partitë politike në përgatitjet e procesit zgjedhor./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame