Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kërkon të përdorë presionin qytetar institucional dhe parlamentar për të ndryshuar Kushtetutën. Kërkesa e ngritur nga kjo zyrë për ndryshimin e sistemit elektoral në proporcional është hedhur poshtë nga përfaqësues të Komitetit të Helsinkit, të cilët e kanë quajtur të pamundur deri në zgjedhje këtë lloj procesi.

Kreshnik Spahiu: “Mazhoritari duhet ndryshuar, pasi i heq mundësinë një intelektuali, një profesionisti të kandidojë përballë një milioneri të mafias politike, ndërsa proporcionali e shmang një gjë të tillë. Kushtetuta është ligj dhe si ligj ai mund të ndryshohet, pavarsisht nga procedurat e veçanta të parashikuara në ligjin përkatës. Ne kemi bindjen që Komiteti i Helsinkit Shqiptar e komenton Kushtetutën me parimet e viteve ‘70 dhe ‘80 të Kushtetutës së ’76-ës, kur shqiptarët duhet të hanin bar pasi kushtetuta nuk mund të ndryshohej dhe nuk mund të mernim ndihma dhe kredi, por kjo kohë ka perënduar një herë e përgjithmonë. Kushtetuta e vitit 1998, për arsye ligjore, mund të ndryshohet dhe do t’i thoja Helsinkit shqiptar që kjo është çështje kohe.”

Me afatet kohore që parashikon kodi zgjedhor, ndryshimi i kushtetutës për sistemin zgjedhor mund të ndryshohet edhe brenda 60 ditëve. /tvklan.al