Miratimi i kodit zgjedhor me nisjen e punimeve të sesionit të ri parlamentar ngre si detyrë përpara kuvendit riformatimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, institucionet që do të administrojnë procesin elektoral të 2009-tës.

Sipas ish-kryetarit të KQZ-së, Kristaq Kume, sistemi proporcional rajonal i sanksionuar tashmë në kodin e ri elektoral i njeh votuesit të drejtën për të administruar votën e tij për subjektin zgjedhor.

Ndërsa i tërë procesi i administrimit të votës sipas Kumes do të kalojë nga grupet e numërimit në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor dhe më pas do të jetë KQZ-ja ajo që do të shpallë rezultatet për çdo rajon.

Kristaq Kume: “Votuesi do të votojë tashmë vetëm për një subjekt zgjedhor dhe automatikisht vota e tij ka kaluar për koalicion, ka kaluar për listën që sjell dhe çdo subjekt zgjedhor brenda koalicionit, kurse administrata zgjedhore do të administrojë këtë votë të hedhur nga votuesi duke kaluar në disa nivele. Janë grupet e numërimit të votave të ngritura që do të ngrihen pranë KZAZ-ve, të cilat do të bëjnë numërimin e votave dhe grupet e numërimit të votave rezultatet e tyre ua kalojnë pastaj KZAZ-ve, të cilat bëjnë përmbledhësen në nivelin e rajonit dhe është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai i cili do të shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në secilin rajon”.

Sipas kodit të ri elektoral KQZ-ja do të përbëhet nga shtatë anëtarë, të cilët zgjidhen nga kuvendi me një mandat 4-vjeçar duke i rikthyer këtij institucioni të njëjtin konfigurim sikurse kishte përpara vitit 2006.

Anëtarët aktualë të KQZ-së do të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin me kandidatë të rinj.

Ndërkohë brenda muajit Janar forcat kryesore politike duhet të angazhohen për gjetjen e kandidaturave të reja në mënyrë që në Shkurt KQZ-ja të nisë me infrastrukturën zgjedhore.

Sipas Kumes nuk jemi në limitet kohore, por përpara klasës politike del si detyrë pajisja e shtetasve brenda afateve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.

Kristaq Kume: “Të shpresojmë që gjashtë muajt e nevojshëm për të realizuar këtë dokument për votuesit shqiptarë të jenë gjashtë muaj të suksesshëm dhe ne të shkojmë në procesin zgjedhor duke e plotësuar këtë kusht sepse në të kundërtën parashikoj që ky kusht mund të kthehet në një ndër ato të cilët i referohet humbësi për të thënë që nuk janë realizuar standardet në procesin zgjedhore dhe për të mos pranuar rezultatet e procesit”./tvklan.al