Lajme Arkiva 2003

Kriza brenda mazhorancës duket se në sipërfaqë po kalon një moment pauze, të paktën aq sa është koha që i duhet dekretit të Moisiut të udhëtojë nga Presidenca deri në Kuvend, por në  brendësi askush nuk është i qetë dhe palët janë mbërthyer nga ankthi.

Së pari vetë kryeministri dhe përkrahësit e tij ende nuk ndihen të sigurt nëse kanë shumicën e nevojshme për ta kaluar dekretin e emërimit të dy ministrave të rinj në parlament, por edhe kundërshtarët e tyre janë duke numëruar emrat e deputetëve të cilët mund ti llogarisin në radhët e kontestatorëve.

Janë 10-15 apo më shumë. Do të mjaftojnë për të rrëzuar dekretin në parlament. Edhe opozita nga ana e saj që deri më tani ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe votën kundër në parlament nuk ndihet e sigurt nëse kjo është zgjidhja e duhur.

Rreth dy vjet më parë në një situatë identike u gjend kryeministri i atëhershëm Ilir Meta. Opozita dhe deputetët pro Nano zgjodhën rrugën e mospjesëmarrjes në parlament dhe mos bërjen e numrit 71 të deputetëve për të hapur seancën, bllokoi dekretin e presidentit për ministrat e rinj.

Namik Dokle: Çdo lojë politike për kushtetutën është e palejueshme sepse do të ishte një shkelje e kushtetutës dhe ne nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Prandaj unë ju bëj thirrje të gjithë atyre deputetëve që për arsye të ndryshme sot nuk janë prezentë në sallë në seancën e ardhshme të jenë prezentë dhe të shprehin vullnetin e tyre politik duke shfrytëzuar votën e tyre pro, kundër, apo abstenim për dekretet e Presidentit të Republikës.

Kjo ishte deklarata e Dokles atëherë ndërsa vetë Nano aktin e bllokimit të mospjesëmarrës e shpjegonte kështu:

Fatos Nano: Kjo do të thotë që në seancën e kuvendit ku do të shqyrtohen dekretet duhet të ketë filluar. Firmëtarët nuk do të marrin pjesë dhe ky fenomen nuk është bërë i kotë, por është një instrument politik legal për të nxitur ata që ushtrojnë arbitraritetin ekzekutiv edhe mbi parlamentin, të reflektojnë dhe të krijojnë së bashku me ne dhe të tjerët një kohë të mjaftueshme, që nuk duhet humbur më, për një zgjidhje më të plotë se kjo që paraqitet me dekretet e Meidanit.

Gjërat po përsëriten dhe do të ketë përsëri bojkot apo do të ndiqet një rrugë tjetër. Deri më tani duket se palët do të ballafaqojnë votat në Kuvend dhe nuk do të ketë bojkot. Miratimi i dekretit për ministrat e rinj kërkon 50+1 të votave të deputetëve të pranishëm. Nëse opozita i ka të gjitha votat kundër pa firo dhe kundërshtarët e kryeministrit arrijnë të bëjnë 15 vota kundër apo qofte abstenime, situata ndërlikohet dhe kabineti që do të pagëzohej si Nano 6 vihet në pikëpyetje./tvklan.al