Tronditet ekonomia botërore. Japonia, ekonomia e dytë më e madhe pas Shteteve të Bashkuara, ka hyrë zyrtarisht në recesion.

Të dhënat tregojnë se të ardhurat në Japoni gjatë tremujorit të fundit Korrik-Shtator kanë pësuar tkurrje prej 0.1%.

Kjo shënon tre-mujorin e dytë radhazi që ekonomia japoneze përjeton rënie, pas tkurrjes prej 0 pikë 9% që u regjistrua nga muaji Prill deri në Qershor, ndërsa në bilancin e përgjithshëm vjetor Prodhimi i Brendshëm Bruto ka rënë në nivelin e 0.4%.

Kjo është hera e parë që Japonia hyn në recesion që prej vitit 2001. Për këtë analistët fajësojnë rënien e madhe të investimeve, pasoja e së cilës po shfaqen në këto ditë të vështira. Megjithatë bursa japoneze Nikei është mbyllur me rezultate pozitive duke dhënë shpresë për një ringritje të gjendjes aktuale të tregut financiar.

Pak ditë më parë ishte Gjermania shteti i parë që deklaroi përfshirjen nga recesioni dhe më pas Bashkimi Evropian pranoi se 15 vendet e eurozonës tashmë janë në recesion, duke i rënë kambanave për veprime të shpejta.

Nga ana tjetër liderët e 20 vendeve më të zhvilluar u zotuan gjatë samitit në fundjavë se do të bashkëveprojnë për t’i dhënë fund krizës aktuale brenda pak muajsh, duke reformuar të gjithë sistemin financiar./tvklan.al