Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mungesa e konsensusit mes partive politike për rikompozimin e KQZ, ka futur në një krizë ligjore institucionin kryesor që drejton zgjedhjet në vend. Që prej datës 31 Mars, tre prej anëtarëve të këtij komisioni u ka mbaruar mandati dhe askush nuk e ka ngritur zërin për shkeljen e një prej ligjeve të rëndësishme të shtetit.

I vetmi që reagoi në limitin e fundit kur duhet të zgjidheshin anëtarët e rinj, ishte kryetari i KQZ Ilirjan Celibashi, i cili u bëri thirrje forcave politike të bënin një zgjidhje të shpejtë për këtë institucion. Sipas Kushtetutës dhe kodit zgjedhor, mandati i tre anëtarëve të KQZ, nënkryetarit Gaspër Koka dhe anëtarëve Igli Toska e Klemend Zguri, të zgjedhur përkatësisht nga Parlamenti, KLD dhe Presidenti, ka mbaruar në fund të Marsit dhe brenda 30 ditëve, pra deri në fund të Prillit, këto institucione duhet të kishin zgjedhur anëtarët e rinj.

Përgjegjësit kryesor të këtij kaosi ligjor, në këtë rast përfaqësuesit e dy partive politike më të mëdha parlamentare nuk pranojnë të japin shpjegime. Kjo gjendje pritet të zgjasë deri në përfundimin e negociatave mes tyre, për gjetjen e një formule konsensuale, për anëtarin e 7 të KQZ dhe më pas gjithçka varet nga shpejtësia me të cilën do të veprojë parlamenti dhe presidenti, për të mos zgjedhur më tej shkeljen e Kushtetutës dhe kodit zgjedhor./tvklan.al