6 mijë votues me karta identiteti të skaduara nuk arritën të votojnë në zgjedhjet e kësaj të diele për kreun e ri të Bashkisë së Himarës.

Shifrën e konfirmoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili u shpreh nga Himara se kjo çështje nuk lidhet me KQZ-në. Sipas Celibashit, i njëjti precedent i shënuar edhe në zgjedhjet e vitit 2023 mori zgjidhje nëpërmjet një akti normativ nga ana e Këshillit të Ministratve, ndërsa në zgjedhjet e pjesshme të Himarës, ai tha se nuk ka patur asnjë shqetësim për këtë çështje.

Ilirjan Celibashi: Është e vërtetë që janë rreth 6 mijë votues që dokumenti i identifikimit ose u ka skaduar, ose u skadon ditën e sotme. E njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, për personat që nuk kanë pasur dokument identifikimi të vlefshme. Përse për këto zgjedhje nuk u mor një vendim nga ana e Këshillit të Ministrave me anë të një akti normativ për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit, unë nuk mund ta them.

Ne e kemi bërë këtë komunikim me Këshillin e Ministrave sa herë që zyrtarisht ka patur një kërkesë nga partitë politike për këtë çështje, nuk e kemi patur një kërkesë zyrtare nga partitë politike. E kemi pasur në mënyrë informale ditët e fundit. Ne nuk kemi pasur komunikim sot me përfaqësues të qeverisë për këtë çështje, sepse nuk mund të zgjidhej sot. Por në fund të fundit është një çështje që lidhet me interesin e vetë votuesve.

Kandidati i opozitës në garën për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria bëri përgjegjës qeverinë.

Petro Gjikuria: Vitin e kaluar u lanë njerëzit të votojnë me karta të skaduara, ndërsa këtë herë nuk u lejuan dhe ky është problem pasi socialistëve i jepnin karta për 24 orë, kurse anës tjetër i thonin për dy javë. Këtu i bënjë ligjet si duan vetë. Sot ata llogarisin numrat dhe i nxjerrin ligjet si të duan.

Ndërsa kandidati socialist, Vangjel Tavo, i pyetur për këtë çështje, tha se ajo u takonte institucioneve ta zgjidhin.

Në 22 Korrik ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla përmes një postimi në rrjetet sociale i ftoi himariotët që të aplikonin për letërnjoftim, duke u shprehur se sportelet do të ishin të hapura të shtunën dhe të dielën e 27 dhe 28 Korrikut, si dhe të shtunën e 3 Gushtit.

Çdo aplikim, sipas tij, për letërnjoftimin e ri që  do të bëhej para datës 1 Gusht do të mund të tërhiqej deri në 3 Gusht dhe askush nuk do të priste 2 javë, por do të pajisej me kartën e identitetit përpara zgjedhjeve të 4 Gushtit.

Tv Klan