“Një vepër ndërtimi e përsosur”, kështu e ka cilësuar kryeministri Berisha mbikalimin e njohur si ai i Kamzës në hyrje të Tiranës. Një prej arterieve më të rëndësishme të qarkullimit rrugor që lidh Tiranën me qytetet e tjera ka prerë shiritin e inaugurimit. Për disa muaj me radhë firma Alpin mori përsipër rikuperimin këtij aksi, i cili ishte kthyer në një ferr të vërtetë për drejtuesit e mjeteve dhe rrezik potencial aksidentesh për kalimtarët.

Ministri i Transporteve dhe kryeministri prenë shiritin e inaugurimit të këtyre punimeve. Kryeministri Berisha premtoi se zinxhiri i inaugurimeve do të mbyllet me ndërtimin e një rrjeti rrugor të standardeve europiane.

Sali Berisha: “Tirana sot e tutje ka një hyrje moderne, ka një hyrje si çdo metropol i madh evropian. Me ngritjen e zbutur që bën këtu i nxjerr përpara udhëtarit Tiranën gjer në thellësinë e saj.”

Ky aks rrugor shtrihet në një gjatësi prej 1 km, ka 6 korsi si dhe dalje anësore rreth 2km që lidhin rrugën kryesore me banesat dhe bizneset që gjenden përgjatë këtij aksi. Funksionimi i këtij aksi do të sjellë edhe lehtësimin e trafikut duke qenë se hyrja për në Tiranë nis edhe nga ky segment./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Metlin Kepi