Për herë të parë pas tragjedisë së Gërdecit kryeministri Berisha ka mbledhur komitetin ndërministror për sigurinë kombëtare, ku përveç anëtarëve të përhershëm të këtij komiteti kanë qenë të ftuar dhe prokurorja e përgjithshme dhe kryetari i SHISH.

Kryeministri ka pranuar se shpërthimet që morën jetën e 26 personave në Gërdec nxorën në pah dështimin e shërbimeve inteligjente.

Për këtë arsye kur siguria kombëtare, sipas tij, ka marrë të tjera dimensione është i domosdoshëm reformimi i të gjitha agjencive shtetërore të shërbimeve informative.

Sali Berisha: “Është e hidhur shumë ajo që ndodhi. Më e pafalshme, më e papranueshme do jetë që ne të mos kalojmë një rishqyrtim i ligjit të këtyre shërbimeve. Ndofta do të jetë i domosdoshëm, kjo dhe në bashkëpunim me prokurorinë e përgjithshme.”

Kryeministri ka kërkuar bashkërendim të punës mes shërbimeve informative, në mënyrë të veçantë mes SHISH-it dhe shërbimit informativ të ushtrisë që në rastin e tragjedisë së Gërdecit dëshmuan mungesë totale të koordinimit të informacionit.

Sali Berisha: “Themi se shërbimi i fshehtë nuk shtrin veprimin e tij në fushën ushtarake, kjo nuk do të thotë që ai çdo të dhënë që mbledh nuk e bën disponibël. Duhet të përcaktojmë marrëveshje që atij t’i krijojmë mundësitë e bashkëpunimit me të dy në shërbimin e ushtrisë e shërbimin e policisë për të ndjekur problemin. Ka diskordanca midis informacioneve që shërbimi sjell. Informacione sjell, por për ta verifikuar pastaj ja u verifikojnë policia apo tjetri-tjetri. Se sa ai nis për të verifikuar gjërat na sjell një raport tjetër. Kjo pse vjen? Sepse shërbimi ka kufizimet e tij. Tani ne shërbimin e lejojmë të mbajë dhe armë. Atëherë edhe një ose dy kompetenca më tepër që t’i dalë zot plotësisht asaj që konstaton ne duhet t’ia japim. Ne shërbimin e lejojmë të kontrollojë telekomunikacionin, edhe korrespondencën kur është e nevojshme. Edhe dy-tre kontrolle të tjera mund t’ia shtojmë”.

Berisha ka lajmëruar gjithashtu ngritjen e një departamenti pranë këshillit të ministrave për të monitoruar punën e agjencive që merren me informacionin.

Pas tragjedisë së 15 Marsit në Gërdec presidenti i republikës në mbledhjen e këshillit të sigurimit kombëtar akuzoi shërbimet informative si përgjegjëse për mosdhënien në kohë të informacionit mbi atë çka po ndodhte vetëm pak kilometra larg kryeqytetit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka