Turi i kryeministrit Berisha, “Shqipëria po ndryshon”, ka vijuar në komunën, “Katund i Ri” në Durrës.

Kreu i ekzekutivit ka inauguruar katër rrugë rurale me gjatësi që në total arrijnë në 15 kilometra.

Zhvillimi i infrastrukturës në zonat rurale është një nga objektivat e kësaj qeverie, ka theksuar kryeministri.

Sali Berisha: “Jemi të vendosur të bëjmë çdo investim, t’u garantojmë ju fermerëve të Katundit të Ri, por dhe mbarë fermerëve të Shqipërisë infrastrukturën njëlloj si zonave urbane. Vetëm me grandin e Ministrisë së Brendshme këtë vit ne kemi vendosur për rrugët e fshatrave të Shqipërisë 12 herë më shumë se në vitin 2004 apo 2005 ne shkojmë në rreth 1600 kilometra rrugë në zonat rurale brenda këtij viti”.

Segmenti i parë rrugor i përuruar ishte ai i Shënavlash, “Rinia”, një investim i qeverisë shqiptare prej 50 milion lekësh.

Më tej kryeministri inauguroi edhe rrugën e “Shahinajve”, me një gjatësi 1.5 kilometra dhe vlerë 10 milion lekë, rrugën e Çokëve si dhe atë Sall Mont, Katund i Ri, me vlerë 63 milion lekë.

Në fjalën e vet kryeministri Berisha nuk la pa shigjetuar dhe kreun e opozitës.

Sali Berisha: “Mos u servir mashtrime, trillime, mashtrime, trillime ditë për ditë. Dil nga muzeumi dhe njihu me realitetin. Kjo është thirrja ime për liderin e opozitës. Përsa i përket protestave që vijnë e bëhen para zyrës sime le të vijnë të hyjnë dhe në zyrën time, por në karrige s’do mund të hyjnë kurrë. S’ka shanse për…se kam fal unë se votoj”.

Kryeministri ka pohuar se ende nuk ka marrë një kërkesë zyrtare nga PBDNJ për largimin nga kabineti qeveritar të ministrit Kosta Barka dhe se sapo të marrë kërkesën do ta shqyrtojë atë./tvklan.al