Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, dhe ai i Financave, Ridvan Bode, ndodhet në një vizitë dyditore në Gjermani me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Në takimin me zonjën Merkel është diskutuar rreth marrëdhënieve mes dy vendeve, integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike dhe mbi zhvillimet në rajon.

Kancelarja Merkel i shprehu urimet më të mira për progresin e arritur nga Shqipëria në vitet e fundit në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vlerësoi reformat e qeverisë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Angela Merkel: “Gjithë rajoni dhe Evropa u janë mirënjohës për progresin që ju keni arritur në luftën kundër korrupsionit. Duke qenë se problemi i korrupsionit është një problem më i gjerë sesa vetë Shqipëria. Kryeministri ka bërë reforma të mëdha. Marrëdhëniet bilaterale janë në nivel të shkëlqyer. Jemi të gatshëm që t’i çojmë edhe më tej”.

Zonja Merkel siguroi gjithashtu se Gjermania do ta ratifikojë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit brenda vitit 2008 duke premtuar se dhe protokolli i anëtarësimit në NATO do të ratifikohet shumë shpejt.

Kancelarja siguroi kryeministrin për angazhimin e qeverisë gjermane për të ndihmuar Shqipërinë në shumë fusha të rëndësishme, veçanërisht fushën e zhvillimit të infrastrukturës apo në arsim.

Nga ana e tij kryeministri Berisha bëri të njohur përpjekjet e qeverisë për të çuar vendin para Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërkohë që shprehu mirënjohje për ndihmën e Gjermanisë, e cila është kthyer në donatoren më të madhe.

Gjithashtu i kërkoi mbështetjen kancelares për lehtësimin e vizave dhe qarkullimin e lirë të shqiptarëve në Bashkimin Evropian.

Sali Berisha: “Shqipëria siç e dini doli nga një varfëri dhe mjerim ekstrem. Shqipëria ka ndryshuar. Nuk është më vend i të ardhurave, nuk i përket grupit të vendeve me të ardhura të ulëta. Në të gjitha këto arritje, solidariteti, ndihma, projektet e qeverisë gjermane ka luajtur një rol thelbësor.”

Po kështu kryeministri Berisha u takua dhe me Ministrin e Jashtëm, Steinmeier. Kryediplomati gjerman shprehu konsideratën e tij më të lartë si dhe respektin më të thellë dhe të qeverisë gjermane për arritjet e shkëlqyera në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për zhvillimin e vrullshëm ekonomik të vendit, e cila ka mundësuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Duke përgëzuar qeverinë shqiptare për ecurinë e progreseve integruese Ministri i Jashtëm, Steinmeier, e siguroi kryeministrin Berisha për mbështetjen e qeverisë gjermane për anëtarësimin sa më parë me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO.

Gjatë qëndrimit në Gjermani kryeministri Berisha u takua me zv/sekretarin e përgjithshëm të fondacionit Konrad Adenauer, doktor Gerard Uallers, i cili vlerësoi Shqipërinë si një faktor të rëndësishëm të Ballkanit.

Ai bëri të ditur gjithashtu se fondacioni ka vendosur të hapë një zyrë përfaqësie në Tiranë./tvklan.al