Fondi Monetar Ndërkombëtar pranoi Kosovën si vendin e 185-të anëtar me të drejta të barabarta.

Zyra e FMN-së në Uashington njoftoi se bordi ekzekutiv i fondit certifikoi votën e guvernatorëve për pranimin e Kosovës në organizatën më të rëndësishme ekonomike në botë.

Kryeministri Hashim Thaçi e konsideroi anëtarësimin e vendit në këtë mekanizëm ndër ngjarjet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Hashim Thaçi: “Këto shtete të pavarura mbështetën Kosovën sepse ato e njohën përkushtimin tonë të thellë për shtetin tonë, për të ardhmen tonë demokratike.”

Thaçi njoftoi se në votim morën pjesë 138 shtete, 96 prej të cilëve votuan pro Kosovës. Në anën tjetër Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, paralajmëroi edhe anëtarësimin në organizma të tjerë financiarë.

Ahmet Shala: “Procedojmë në të gjitha hapat e nevojshëm për nënshkrimin formal, i cili do të bëhet në Qershor dhe deri atëherë besoj edhe anëtarësimi në Bankën Botërore do të përfundojë.”

Kosovës tashmë i është caktuar edhe kuota në FMN në vlerë prej 65 milion euro, e cila i jep një peshë votës së saj në vlerë prej 0.02% që është e nivelit të vendeve të rajonit.

Qasja në kredi të buta konsiderohet njëri ndër përfitimet më të mëdha ekonomike pas anëtarësimit në këtë fond./tvklan.al