Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Fatos Nano është shprehur i bindur gjatë mbledhjes që ka zhvilluar me aktivin e PS të Pogradecit, se parlamenti ditën e hënë do të kalojë dekretet për emërimin e Ministres së Integrimit Ermelinda Meksi dhe Ministrit të Jashtëm Marko Bello.

Fatos Nano:- “Të hënën në Kuvend, ne të gjithë deputetët e PS, ne dhe ca deputetë të tjerë dhe këtu nga Pogradeci, që nuk janë të PS, deputetët e koalicionit Aleanca për Shtetin, do votojmë dy dekretet për zonjën Meksi dhe për zotin Bello, do mbyllim një cikël diskutimesh e debatesh të dobishme dhe do marrim veten më qafë”.

Kryeministri tha përpara socialistëve pogradecarë, se sherret e vërteta, apo të sajuara në qendrën e partisë, nuk duhet të shkëpusin bashkëpunimin duke ndikuar negativisht, në zgjedhjet e pritshme të Tetorit.

Fatos Nano:- “Natyrisht ka dhe debate, ka dhe interesa më të vogla se kaq, që t’ia u them mos t’ia u them, ka rrezik s’e keni marrë vesh, ju fusim në siklet kot, që plasën kohet e fundit dhe në Tiranë. S’e keni marrë vesh, epo mirë, por baza e partisë përgjithësisht ka reaguar në mënyrë perfektë. Unë prandaj, përfaqësuesit atje në qendër gjithashtu, kanë arsyetuar dhe vepruar me maturi dhe me solidaritet”.

Kryetari i socialistëve shqiptar u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet vendore.

Fatos Nano:- “Këto zgjedhje do t’i fitojmë, që byreku të jetë më i madh për të gjithë dhe jo të zihemi për të njëjtën tepsi. Unë jam pra i bindur, se Pogradeci për shkak dhe të marrëdhënieve shumë të mira që kam dhe unë me Gurin, do më raportojë i pari në datën 12 për fitoren e kandidatit të PS në Pogradec, përfshi dhe atë komunën që sot e ka PD”.

Shqipërisë sipas Nanos, e futën socialistët në rrugë të mbarë dhe më duket e pakuptimtë shprehet Nano, se si Berisha gjen guximin dhe përsërit akuza dypalëshe.

Fatos Nano:- “Shqipëria përfundimisht është një vend normal, që nëpër fshatra dhe qytete dhe jo vetëm Tiranë, kanë zbarkuar amerikanët, gjermanët e italianët, e serbët, s’ka ngelur njëri pa u edukuar nga ne shqiptarët”.

Përpara se të zhvillonte takimin me socialistët e Pogradecit, Nano ka marrë pjesë në inaugurimin e segmentit rrugor Qukës-Qafë Thanë dhe ndërtesës së rehabilituar të ndërtesës së Qafë Thanës. I shoqëruar nga një grup deputetësh, mes të cilëve dhe deputeti Ilir Zela dhe ministrja e re që pret miratimin e parlamentit Ermelinda Meksi. 

I frikësuar nga ndonjë abstenim i mundshëm i aleatëve, kryeministri Nano vetëm tre ditë përpara seancës plenare, ka shfrytëzuar këto inaugurime për t’ju bërë thirrje aleatëve për bashkëpunim dhe ndoshta për të rihapur edhe njëherë negociatat.

Fatos Nano:- “Boshti, shtylla kurrizore e koalicionit të Aleancës për Shtetin është bashkëpunimi midis fituesish dhe jo humbësish, pra bashkëpunimi edhe atje ku konkurrohet. Ju e dini, ne jemi një mjedis shumë demokratik, që na pëlqen të konkurrojmë dhe për vete, sepse opozita çalon, pra dhe atje ku konkurrohet do të jetë sërisht një bashkëpunim midis fituesish, sepse ne kemi kuptuar dhe duam, që demokracia të funksionojë deri në nivelet vendore”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka