Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, ka shfrytëzuar inaugurimin e rrugës që lidh bllokun e banimit pranë kopshtit Zoologjik me rrugën “Sami Frashëri”, për t’u kthyer përgjigje akuzave që një ditë më parë kryeministri Sali Berisha, i bëri nga komuna Xhafzotaj, për përkushtim minimal për punët e bashkisë.

Edi Rama: “I gjori kryeministër që hakërrehet në parlament si i forti mëhallës, pastaj turret ju merr gërshërët e inaugurimeve nga dora kryetarëve të komunave për t’i bërë atë karshillëkun e vetë qesharak Bashkisë Tiranës me rrugë fshati që si ka bërë as vetë. Nuk e fsheh dot më dështimin e plotë të politikës së tij të vjetër të cilën shqiptarët do ta dënojnë përfundimisht me votë, duke çliruar Shqipërinë nga kthetrat e së shkuarës dhe për ta kthyer në model të suksesit të së ardhmes si Tirana europiane që ne po transformojmë çdo ditë”.

Në Xhafzotaj, kreu i qeverisë deklaroi se kjo komunë kishte shtruar më tepër rrugë se e gjithë bashkia e Tiranës. Në reagimin e tij 24 orë pas kësaj deklarate, kryebashkiaku Rama nënvizoj se puna e Bashkisë së  Tiranës po ecën me ritme të shpejta duke e kthyer metropolin shqiptarë në kryeqytet europian./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Petrit Xhaferri