Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Fatos Nano, në mbledhjen e komitetit ndërministror të Arsimit dhe Shkencës, ka shpallur si sfidë qeverisëse, zhvillimin e shkencës në vend dhe ka ofruar objektivat nxitëse të saj, si mënyra organizative dhe menaxheriale të burimeve shkencore.

Kryeministri Nano u ka kërkuar akademikëve, bashkëpunim me institucionet e huaja, për shkëmbimin e informacionit shkencor dhe teknologjik. Në këtë mënyrë u shpreh ai, i shërbejmë tregut vendas dhe atij të huaj.

Kryeministri Fatos Nano:- “Skema aktuale e administrimit të kërkimit shkencor, përmban strukturën e elementëve themelorë, si baza legjislative, ndarja e kompetencave, sipas niveleve të ndryshme, rrjeti i identifikuar i institucioneve kërkimore, mënyra e financimit dhe platforma e marrëdhënieve me botën etj. Ndërkohë ky sistem i administrimit të kërkimit shkencor, vuan ende nga një sërë dobësish, siç është kompletimi i bazës administrative dhe hallkat e ndryshme të administrimit vertikal që lënë për të dëshiruar”.

Shefi i ekzekutivit është shprehur se ndër objektivat qeverisëse është edhe autonomia e universiteteve, si dhe formimi i një tregu emergjent për kërkimet shkencore./tvklan.al