Presidenti Moisiu ka mbështetur hapur njerëzit e mediave dhe drejtuesit e lëvizjeve qytetare të gjendur përballë akuzave të kryeministrit Fatos Nano. Moisiu shfrytëzoi një bashkëbisedim me studentë të juridikut për të denoncuar politikanët që pasurohen padrejtësisht si dhe zyrtarë të rangjeve më të ulëta që ushtrojnë korrupsionin. Për presidentin korrupsioni është pengesë kryesore për integrimin evropian të vendit.

Alfred Moisiu: “Korrupsioni është i prekshëm dhe po bëhet nga njerëz me pushtet. Dëshirat dhe përpjekjet tona për integrim në strukturat euroatlantike kanë një pengesë serioze dhe të gjithë e dimë që kjo pengesë nuk na vjen nga jashtë. Janë shënuar, sigurisht, hapa në luftën kundër korrupsionit, nuk dua të bëhem nihilist fare, por ato janë tepër të pamjaftueshme. Ju ftoj që bashkë me Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve, Qeverinë Studentore, grupimin “MJAFT!” dhe median kurajoze, të jepni kontributin tuaj aktiv në luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative që ky gjeneron në shoqërinë tonë.”

Moisiu ka denoncuar gjithashtu konfliktin e interesave, monopolet në ekonomi dhe pazaret me tenderat nga njerëz me pushtet. Kreu i shtetit u shpreh i gatshëm të verifikohet për pasurinë e tij, ndërsa i tërhoqi vëmendjen kryeinspektores së pasurive Laskaj që të verifikojë të gjitha deklaratat për pasurinë e politikanëve.

Alfred Moisiu: “Nuk mund të vazhdohet më me praktikat e dënueshme, që konfliktit të interesave të politikave monopoliste, të krimeve ekonomike pa autorësi, të skandaleve publike pa përgjegjës, të fshehjes së të korruptuarve me gjethe fiku e imunitetit politik apo nën hijen e klaneve të çfarëdolloj qofshin ato. E stomja dhe e ardhmja e vendit nuk mund të varen në gozhdët e tenderave. Me to nuk mund të luhet më. Si kryetar i shtetit kam qënë dhe jam i hapur të verifikohem nga publiku dhe ligji dhe këtë e them, jo pse duhet thënë, po pse e ndiej se duhet ta bëj. Të njëjtën gjë kërkoj dhe nga të gjithë njerëzit me pushtet, qofshin ata në qeverisjen qëndrore apo dhe në komunat më të largëta të vendit tonë. Gjithashtu kërkoj nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe nga autoriteti i konkurrencës që në zbatim të ligjit dhe të kushtetutës të tregojnë angazhim më të madh në luftën ndaj korrupsionit.”/ tvklan.al