Kryeministri Sali Berisha ka inauguruar fillimin e punimeve për rrugën Levan-Tepelene, një aks i rëndësishëm i korridorit te Jugut.

Ne prerjen e shiritit, kreu i qeverise theksoi rëndësinë e kësaj rruge jo vetëm për zonën, por për te gjithë Shqipërinë.

Sali Berisha: “Erdha sot këtu të ndaj me ju gëzimin e fillimit të punimeve të kësaj rruge, e cila do të lidhë Levanin me Tepelenën, Jugun me portin e madh të Vlorës, rrugën e cila do të shndërrojë këtë zonë, në njërën prej zonave më të urbanizuara të vendit. Segment i rëndësishëm, me një vlerë prej 70 milion eurosh, me një gjatësi prej 70 km, i standardeve më të mira ndërkombëtare. Jemi përqendruar se kurrë ndonjëherë në ndërtimin  e rrugëve.”

Segmenti rrugor Levan-Tepelene është pjese e korridorit veri-jug. Ai është i gjate rreth 70 kilometra dhe mbërrin në një vlere prej 70 milionë eurosh.

Firma e kontraktuar, ajo CAE me pronar Ardi Kollçakun duhet të punojë për 30 muaj ku përfshihet ndërtimi i 50 urave dhe 48 veprave të vogla të artit.

Duke folur për ndërtimin e infrastrukturës rrugore ne vend, kreu i qeverisë u ndal tek vepra me madhore e rrjetit rrugor, autostrada Durrës-Kukës, ku foli për rëndësinë e saj dhe komentoi deklaratat e opozitës mbi këtë vepër.

Sali Berisha: “Dje po dëgjoja opozitën tek akuzonte në Vlorë se ne po diskriminojmë  dhe me këtë aludonte, aludonte në mënyrën më antikombëtare për aksin,apo korridorin e shqiptarëve, Morinë-Durrës. Tani unë dua t’i them opozitës, e cila në një rast shpall se shqiptarët i vodhën orën Xhorxh Bushit, në rastin tjetër deklaron se shqiptarët nuk do të marrin ftesën për në NATO, në rastin tjetër shpall të vdekurit në aksidente si të ekzekutuar nga qeveria, në rastin tjetër krijon blofin se ujërat e Korfuzit iu dhanë Greqisë, e të tjerë. Do t’i them opozitës së blofeve se me asgjë s’mund të përçash shqiptarët. Ky korridor do të dyndë Kosovën dhe më gjerë në brigjet turistike të Shqipërisë. Ky korridor do të bëjë që prodhimet e Frakullës, Novoselës, Levanit, Fierit, Myzeqesë, të cilat janë rreth një muaj para prodhimeve të Kosovës të kenë një treg të hapur dhe shumë të mirë. Ky korridor, gjithashtu, në një farë mënyre u jep fund disa ndarjeve natyrore të kombit dhe e bën kombin të ndihet pranë e pranë.”

Kryeministri Berisha premtoi gjithashtu se ne mandatin e dyte te kësaj qeverie do te ndërtohen rruge te reja, duke thënë se infrastruktura rrugore do te jete prioriteti i katër viteve te ardhshme.

Sali Berisha: “Unë u ndala tek rrugët, sepse prapë në mandatin e dytë rrugët do të jenë përparësia absolute infrastrukturore e jona. Po, po. Në këtë mandat ne do të përfundojmë këtë trajektore, në këtë mandat ne do të përfundojmë  boshtin e Jugut. Në këtë mandat ne do të lidhim me rrugë të re Elbasanin me Tiranën. Në këtë mandat ne do të lidhim Qafë-Plloçën me Qukësin, pra në rrugë të re. Në këtë mandat, do të përfundojmë rrugën e Arbrit. Në këtë mandat, Shqipëria do të ketë rrugët më të shkurtra, më të mira, më të bukura se çdo vend tjetër.

Ne fund shefi i ekzekutivit ka përmendur disa nga arritjet e qeverise si anëtarësimi ne NATO dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat ne Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se katër vitet e tjera të qeverisjes së djathtë do të jenë ato të hapave të mëdha të integrimit evropian, duke filluar me liberalizimin e vizave.

Sali Berisha: “Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e hapave të mëdha të integrimit të Shqipërisë,  por viti i parë do të jetë viti i lëvizjes suaj të lirë në mbarë Evropën, lëvizja pa viza është zotimi ynë.”

Zhvillimi i fshatit, bujqësia dhe mbrojtja e prodhimit vendas ishin disa nga çështjet e prekura nga kryeministri ne fjalën e mbajtur përpara banoreve te Kafarajt ne Frakull te Fierit.

Për këtë kryeministri theksoi nevojën e bashkëpunimit me pushtetin vendor pa dallime partiake, një gjë që u konfirmua dhe nga kryetari i komunës Frakull, përfaqësues i Partisë Socialiste, ne bisedën qe zhvilloi me shefin e qeverise.

Sali Berisha: “Do keni dhe më shumë, ju siguroj unë ju. Edhe unë të jesh i sigurt që jam shumë i kënaqur sepse pa ju ne nuk ja u ndryshojmë dot jetën këtyre qytetarëve”.

“Unë përfaqësoj një forcë të majtë politike”.

Sali Berisha: “Unë e di”.

“Dhe këto shumica janë të majtë. Kanë ardhur vetëm për Sali Berishën”.

Sali Berisha: “Unë i përshëndes të gjithë dhe unë i siguroj se do të mbështes çdo projekt tuajin, zoti kryetar”./tvklan.al