Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në turin e tij “Dialogu me Shqipërinë, Bujqësia dhe Zhvillimi Rural” ka takuar banorë të fshatit Mushan të Dajçit në veri të vendit.

Duke i ofruar fshatarëve alternativën socialiste, Rama, ka deklaruar se qeveria aktuale e ka braktisur fshatin, ndërsa ajo socialiste do ta ndihmojë atë.

Edi Rama: “Është e pamundur që ne të pranojmë të jetojmë nën një qeverisje, e cila e ka braktisur fshatin, ka braktisur prodhimin, ka braktisur çdo hapësirë. Pushteti duhet të jetë prezent dhe ku mungesa e prezencës së shtetit është një tradhti ndaj interesave të njerëzve që kanë votuar për ta pasur shtetin në krah dhe jo për ta pasur shtetin kundër, që kanë votuar për ta pasur shtetin ndihmë dhe jo për ta pasur shtetin pengesë”.

Duke folur për politika të reja qeverisëse Rama ka premtuar dhe mbështetje financiare për fshatin pas fitores së vitit 2009.

Edi Rama: “Ne duam të rikthejmë shtetin në fshat. Ne duam t’i japim një kuptim të ri jetës në fshat duke ndërtuar një bashkim të ri mes shtetit dhe bujqve e fermerëve shqiptarë”.

Dialogu i fshatarëve me kryetarin e PS, Edi Rama, ka vijuar në diskutimin e problemeve që ata kanë dhe vështirësitë që hasin çdo ditë./tvklan.al