Në turin e takimeve me vullnetarët e “Bashkimit të Ri për Ndryshim” Edi Rama është ndalur në qytetin e Sarandës.

Duke kërkuar mbështetjen e të rinjve për zgjedhjet e Qershorit, kryesocialisti bëri sërish thirrje për bashkim duke lënë mënjanë ndasitë politike dhe premtoi se me fitoren e partisë që ai drejton do të vendoset një shtet funksional në shërbim të të gjithë shqiptarëve.

Edi Rama: “Miliona shqiptarëve që nuk kanë pasur ndonjëherë pushtet dhe që nuk duan pushtetin iu interesojnë rezultatet e qeverisjes. Në emër të së majtës dhe të së djathtës pushteti është ndërruar disa herë, kurse Shqipëria është përplasur majtas e djathtas pa mundur të gjejë ekuilibër dhe qetësi mbi themelet e një shteti serioz në shërbim të të gjithëve që sot e gjithë ditën na mungon.”

Në Sarandë Rama shprehu bindjen se më 28 Qershor shqiptarët do të zgjedhin alternativën që ofron Partia Socialiste, pasi duan të shohin rezultate të prekshme në drejtim të mirëqenies së tyre. 

Edi Rama: “Ne mund të bëjmë histori duke mos reshtur së ndezuri dritën e shpresës në zemra dhe mendje shqiptarësh të të gjitha moshave, krahinave, përkatësive politike sepse për ne Shqipëria nuk është e ndarë mes burrash e grash, mes të vjetërish e të rinjsh, mes socialistësh dhe demokratësh, por është e bashkuar në një ëndërr. Në ëndrrën që 18 vjet më parë i nxori njerëzit në rrugë për Shqipërinë si të gjithë Evropa dhe që sot kërkon rrugë për të dalë nga duart e atyre që e pengojnë të realizohet”.

Ne skajin jugor te vendit Rama falënderoi ata që i janë bashkuar politikës së re dhe ftoi edhe të tjerë të rinj të bëhen mbështetës të saj./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle