“Kemi kohë deri në 6 mars për të vendosur nëse është legjitime ose jo”

Një ditë pas pezullimit të marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një intervistë për mediat fqinje. Për Corriere dela sera, Holta Zaçaj, shprehet se shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të grupit Berisha-Bardhi nuk është një vendim negativ për marrëveshjen. Ajo shpjegoi procedurën që do të ndiqet në vijim deri në vendimin përfundimtar.

“Dy palët do të duhet të dërgojnë dokumentacionin brenda datës 4 janar 2024. Dhe nga dita e ankimimit (6 dhjetor 2023) kemi maksimum tre muaj për të marrë vendim. Në rastin konkret do të thotë se deri më 6 mars 2024 Gjykata duhet të thotë nëse marrëveshja është legjitime apo jo.”

Zaçaj sqaroi pretendimet e deputetëve demokratë.

“E para, mosrespektimi i pretenduar i procedurës së negociatave dhe nënshkrimit. Sipas tyre, kjo lloj marrëveshje ka nevojë për autorizimin e presidentit pasi prek çështje territoriale. Shkurt, për ta nuk mund të jetë një marrëveshje mes qeverive, por mes shteteve. Dhe aspekti i dytë sipas i tyre, është se protokolli mund të çojë në shkeljen e të drejtave të njeriut.”

Zaçaj argumentoi faktin se pse kjo gjykatë pranoi ta shqyrtojë.

“Pas ratifikimit, Gjykata, sipas rregullave tona nuk mund të kontrollojë më legjitimitetin ose jo të marrëveshjes. Dhe ankimi ngre dyshime për kushtetutshmërinë e protokollit.”

Kjo marrëveshje pritet të shqyrtohet në 18 janar të vitit 2024.

Klan News