Izraeli e ka bërë kthimin e sigurt të banorëve në veri të vendit një qëllim zyrtar lufte. Ky vendim u mor nga kabineti i sigurisë i kryeministrit, Benjamin Netanyahu gjatë mbrëmjes të së hënës.

“Kabineti i sigurisë ka përditësuar objektivat e luftës për të përfshirë sa vijon: Kthimin e sigurt të banorëve të veriut në shtëpitë e tyre. Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të zbatuar këtë objektiv”, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të kryeministrit.

Rreth 60,000 njerëz janë evakuuar nga veriu i Izraelit për shkak të sulmeve pothuajse ditore të Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Libanin fqinj.

Luftimet ndërkufitare u përshkallëzuan më 8 Tetor 2023 pas sulmit ndaj Izraelit nga persona të armatosur të Hamasit, kur Hezbollahu sulmoi pozicionet izraelite në solidaritet me palestinezët.

Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se e vetmja mënyrë për t’i kthyer banorët e veriut të Izraelit në shtëpitë e tyre ishte përmes aksionit ushtarak.

“Mundësia për një marrëveshje po mbaron pasi Hezbollahu vazhdon të ketë lidhje me Hamasin dhe refuzon t’i japë fund konfliktit. Prandaj, e vetmja mënyrë që mbetet për të siguruar kthimin e komuniteteve veriore të Izraelit në shtëpitë e tyre, do të jetë nëpërmjet veprimeve ushtarake.”

Izraeli ka paralajmëruar vazhdimisht se mund të nisë një operacion ushtarak për të larguar Hezbollahun nga kufiri./tvklan.al