Kualifikimi në finale dhe paraqitja e futbollistëve e kanë kënaqur trajnerin e Anglisë, Gareth Southgate. Sfida u vendos nga zëvendësuesi Uotkins, por teknikun e “tre luanëve” e gëzon fakti që ekipi zgjidhi më së miri një takim të komplikuar.

“Isha me të vërtetë i kënaqur me cilësinë e lojës. Them se ka kaluar një kohë e gjatë që kur një ekip anglez ka pasur 60% të zotërimit të topit kundër përfaqësueses holandeze. Kjo tregon rrugën më moderne të Anglisë, por edhe karakterin luftarak të grupit. Luajtëm shumë mirë! Ishte një ndeshje e ndërlikuar! E rëndësishme është që e gjithë skuadra është gati të hyjë në fushë!”

Ndërsa trajneri i “tulipanëve” Ronald Kuman tregoi zhgënjimin për sfidën e humbur.

“Jam i zhgënjyer nga rezultati në një ndeshje që nisi më së miri për ne! Patëm vështirësi të ndalnim lojtarët e tyre në mesfushë si Bellingham apo Foden. Nuk arritëm dot ta kontrollonim ndeshjen. Mendoj se penalltia nuk duhej dhënë! Mendoj se nuk mund të luajmë futboll siç duhet, e kjo për shkak të VAR. Realisht e prish futbollin!”

Kualifikimi në finalen e Berlinit u festua edhe në Londër, me tifozët tepër të ekzaltuar për suksesin e madh të arritur të kombëtares.

Klan News