Dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule ka reaguar në lidhje me lajmin se Prokuroria ka nisur hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre ndaj tij dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ai thotë se nuk është njoftuar zyrtarisht, por gjithsesi është i hapur ndaj këtij hetimi.

“Nga media e kam dëgjuar, nuk di. Thonë që ka bërë Mynyr Koni. Unë absolutisht jam i hapur për kohën që kam qenë, për kohën që kanë qenë të tjerët para meje”.

Sa i takon hetimit për pasardhësin e tij në krye të Universitetit të Tiranës, Kule pohon se nuk ka bërë kallëzim për të, por hetimi është iniciuar nga shkeljet e konstatuara nga auditi.

“Nuk kam bërë dhe s’më ka shkuar ndonjëherë mendja të bëj kallëzim penal. Në raport evidentohen problemet e anës financiare, të marrëdhënieve të punës. Janë firmosur kontrata në spital, në kushtet kur nuk ka të drejtë rektori të firmosë. Universiteti i Tiranës nuk ka qenë ndonjëherë në historinë e vet në paligjshmëri të këtij lloji”.

Kule dhe Koni kanë bërë publike akuzat ndaj njëri-tjetrit, në lidhje me menaxhimin e fondeve dhe burimeve njerëzore në Universitetin e Tiranës. Më herët, Kule dhe 4 dekanë kërkuan zyrtarisht nga Ministria e Arsimit shkarkimin e Mynyr Konit nga rektor, qëndrim të cilin e kanë edhe sot.

Tv Klan