Marash Kumbulla është gati për të bërë debutimin e tij me skuadrën e Espanyol. Mbrojtësi shqiptar, është regjistruar në La Liga dhe është gati për të zbritur në fushën e lojës.

Futbollisti 24-vjeçar, ka marrë dritën jeshile për të zbritur në fushë dhe po bëhet gati për të debutuar në kampionat, ndaj Real Sociedad. Lojtari kuqezi, mungoi në ndeshjen e javës së parë, për shkak se nuk kishte arritur të regjistrohej dot nga klubi në La Liga.

Kumbulla u largua nga Roma dhe kaloi tek Espanyol në formën e huazimit për një sezon. Kjo është aventura e parë për shqiptarin jashtë Italisë, aty ku në të kaluarën, përveç Romës ka luajtur edhe me Hellas Verona dhe Sassuolo në sezonin e fundit.

Dy vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për mbrojtësin, i cili kaloi një dëmtim të rëndë dhe i është dashur kohë e gjatë për tu rikuperuar.

Kumbulla shpreson se me kalimin në Spanjë, të arrijë të rikthehet në formën e dikurshme, si atëherë kur në gjurmët e tij u vunë disa nga klubet e mëdha europiane. /tvklan.al