Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, ditën e diel në takimin e bërë me Presidentin Erdogan në Stamboll.

Sipas “CNN Turk” kryeministri Kurti tha se para se të ishte në Stamboll kishte zhvilluar dhe takime të tjera të nivelit të lartë politik dhe zyrtar me Presidentin dhe nëpunës të lartë të shtetit, në Ankara.

Ai tha se kontaktet e tij në Stamboll kishin në fokus bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet tregtare. Duke theksuar se mes Kosovës dhe Turqisë ka lidhje familjare, por edhe historike e kulturore, tashmë dëshiron që këto lidhje të kthehen në përfitime ekonomike. 

Në deklaratat e bëra për mediat turke kryeministri shtoi se: “Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes vazhdon, Kosova ka blerë pajisje ushtarake nga Turqia dhe ushtarët e Kosovës kanë ardhur për stërvitje në Turqi.”

Për sa i përket tensionit në kufirin Kosovë-Serbi vëmendja ishte te përpjekjet e Beogradit për të destabilizuar rajonin. Kurti deklaroi se duan të anëtarësohen në NATO dhe se mohimi i krimeve të kryera në të kaluarën krijoi një konflikt të madh në rajon.

Kryeministri i Kosovës tha se kanë arritur të kalojnë kuotën e NATO-s dhe se kjo e fundit duhet t’i ndihmojë më shumë.

Sipas “CNN Turk” Kurti ka ripërsëritur synimet e tij, duke përmendur edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian, pas anëtarësimit të plotë në NATO. Sipas tij siguria e Kosovës nënkupton sigurinë e Ballkanit.

Ai shtoi gjithashtu se NATO është garancia e progresit dhe demokracisë për Kosovën./tvklan.al