Vizita e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak këtë javë në Prishtinë e Beograd duket të ketë rezultuar me sukses. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen në Bruksel më 26 Qershor, për të zhvilluar raundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve.

Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka thënë se tashmë është konfirmuar pjesëmarrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiçit. Megjithatë ende nuk janë dhënë detaje lidhur me axhendën e takimeve.

Emisari Lajçak vizitoi Prishtinën dhe Beogradin këtë javë për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizimit dhe se çfarë hapash duhet të ndërmerren tutje. Me të dyja palët ka diskutuar për përshpejtimin e Marrëveshjes Bazike, por edhe për çështjen e Planit të Rritjes.

Po ashtu, së shpejti pritet që të publikohet vendimi përfundimtar i vendeve të bllokut lidhur me masat e BE-së ndaj Kosovës. Raportohet se vendet anëtare janë pajtuar që masat t’i hiqen gradualisht Kosovës.

Tv Klan