Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e deputetëve demokratë për pezullimin e ligjit për Komisionet Hetimore. Por trupa gjykuese pranoi që të shqyrtojë në themel ndryshimet që iu bënë ligjit, të cilat u votuan nga mazhoranca në Parlament. Ky vendim pritet të merret brenda 30 ditësh.

 Trupa gjykuese sjell ndërmend nenin 45, ku thuhet se urdhërohet pezullimi në rast se vlerësohet se, zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, shoqërorë ose të individëve sipas rastit.

33 deputetët demokratë e cilësuan antikushtetues ligjin me argumentin se kufizon të drejtën e kontrollit të ekzekutivit. Një prej pretendimeve të opozitës është ndryshimi i mënyrës së marrjes së provave.

Sipas deputetëve të opozitës më parë marrja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve bëhej nga çdo anëtar i komisionit dhe pranohet pa votim, ndërsa me ligjin e ndryshuar parashikohet që kjo mund të bëhet me vendim të shumicës.

Deputetët e opozitës pretendojnë se marrja e një autorizimi nga prokuroria ose gjykata është e paprecedentë në asnjë shtet të së drejtës apo shoqëri demokratike, edhe në kontekstin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Më 21 dhjetor mazhoranca në Parlament votoi me 75 vota pro ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”.

Klan News