Musolini e deshi dhe ndërtoi aty një shtëpi. Enver Hoxha e bëri bazë ushtarake të izoluar nga bota.
Sot Ivanka Trump dëshiron të transformojë ishullin shqiptar të Sazanit në një strehë për milionerët, me vila luksoze dhe një pamje që të lë pa frymë.
Kështu nis një reportazh i gjatë i gazetës të njohur italiane “La Repubblica” për projektin e Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan në ishullin e shkretë shqiptar.
Gazeta italiane thotë se projekti ka edhe bekimin e qeverisë shqiptare që e ka bërë turizmin gur themeli të zhvillimit të vendit duke bërë që mbi 1 milion vizitorë të zbresin në Tiranë vetëm në korrik.
“Mezi presim të fillojë sepse kjo shkakton reaksione zinxhir për ekonominë e qytetit”, thotë kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.
“La Repubblica” bën më pas një përshkrim të projektit që parashikon hotele luksoze dhe dhjetëra vila të ndërfutura në shkëmbinjtë e ishullit.
Reportazhi nënvizon se aktualisht në ishull nuk ka asgjë përveç rrënojave të bunkerëve të diktaturës.
Natyrën e egër të ishullit e quan si një kopësht të Edenit. Për projektin citohet edhe Ivanka Trump që shprehet e vendosur ta çojë përpara pavarësisht vështirësive logjistike.
“Sjellja e materialeve në ishull nuk është një detyrë e lehtë, por ne do ta bëjmë të gjithën me arkitektët më të mirë”, thotë ajo.
Në projektin e Sazanit parashikohet të investohet rreth 1 miliard Dollarë. Ai është duke u shqyrtuar aktualisht nga Agjencia e Investimeve.
Investitorët janë angazhuar të respektojnë edhe natyrën duke përdorur materiale sa më miqësore me ambientin.
Tv Klan