Ndonëse ndeshjet e Ligës së Kombeve duan edhe një muaj, trajneri i Shqipërisë, Silvinjo mund t’i gëzohet formës së mirë që po kalojnë disa lojtarë të sulmit.

Mirlind Daku vazhdon të shkëlqejë në Rusi, aty ku është pjesë e skuadrës së Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi, gjeti rrugën e rrjetës në dy ndeshje radhazi në kampionatin rus. Pas golit ndaj Khimki, Daku shënoi edhe në sfidën e javës së dytë ndaj Rostov, e cila u mbyll në barazim 1-1.

Në formë të jashtëzakonshme duket edhe Arbër Hoxha. Futbollisti gjeti gjithashtu rrugën e rrjetës, për të dytën ndeshje radhazi me Dinamo Zagreb në Kroaci. Shqiptari ishte vendimtar me golin e tij, në fitoren 2-1 me përmbysje ndaj Osijek.

Një tjetër afrim i Silvinjos në Kombëtare, po jep sinjale pozitive gjithashtu. Bëhet fjalë për Jasir Asanin, që duket se po rifiton minuta në Korenë e Jugut me fanellën e Gwangju. Anësori i djathtë, realizoi golin e fitores për ekipin e tij ndaj Jeonbuk.

Trajneri Silvinjo, pret që të rifitojnë formën edhe Broja me Manajn, të cilët momentalisht janë të përfolur në merkato.

Në muajin shtator, Shqipëria do të luajë në Ligën e Kombeve, ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. /tvklan.al