Shefi i ri i administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, diplomati italian, Lamberto Zannieri, mbërriti në Prishtinë, duke zëvendësuar ish-shefin e deritashëm të UNMIK-ut, Joakim Ryker.

Gjatë një konferencë për shtyp Zannieri premtoi se në agjendën e tij angazhimi kryesor do të jetë pa dyshim rikonfigurimi i UNMIK-ut, i propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, megjithatë ai garantoi se pret udhëzime nga Këshilli i Sigurimit.

Lamberto Zannieri: “Roli i OKB-së këtu do të zgjasë në një afat mesatar dhe do të fokusohet më shumë në lehtësimin dhe ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, që sigurisht është kryesorja për zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.

Zannieri vjen në krye të UNMIK-ut pas fuqizimit të Kushtetutës dhe në një kohë kur kosovarët presin që të marrin mbi vete përgjegjësitë kushtetuese në fusha, të cilat deri më tani i kishte nën përgjegjësi UNMIK-u.

Propozim i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK- ut dhe kalimin e disa prej përgjegjësive tek misioni i Bashkimit Evropian, EULEKS, u kundërshtua ashpër nga Serbia në debatin e së premtes në Këshillin e Sigurimit.

Ndërkaq në fjalën e tij presidenti Fatmir Sejdiu, i cili përfaqësoi për herë të parë Kosovën si një shtet sovran, tha se vendimet për Kosovën nuk mund të merren pa pajtimin e saj.

I pyetur nëse ekziston mundësia që të bisedohet sërish me Serbinë, kërkesë kjo e paraqitur sërish nga Beogradi dhe Moska, presidenti Fatmir Sejdiu garantoi  se Kosova është ndërtuar, zhvilluar dhe njohur si faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes dhe se nuk do të ketë më asnjë negociatë për statusin./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle