Miq, të afërm e kolegë i kanë dhënë lamtumirën e fundit ish-Ministrit socialist të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, i cili ndërroi jetë pas një ishemie cerebrale që e goditi 4 muaj më parë.

Në nderim të figurës së ish-deputetit Luan Hajdaraga, Kuvendi zhvilloi homazhet në sallën e seancave plenare. Nuk munguan në ceremoni edhe personalitete më të larta të shtetit, si Presidenti Meta, Kryeministri Rama, ministra e deputetë.

Ish-Ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga ndërroi jetë këtë të hënë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë në moshën 69-vjeçare.

Ai lë pas një karrierë të pasur akademike dhe politike. Hajdaraga ishte nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare i cili ka qenë edhe nënkryetar i Partisë Socialiste.

Për disa legjislatura shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 1998-2000, një periudhë delikate që lidhej me luftën në Kosovë dhe menaxhimin e krizës. Pas viteve 2000 u tërhoq nga politike aktive, duke dhënë kontributin e tij si pedagog Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Tv Klan