Komisioni i Emërtesave në Ministrinë e Rendit ka vendosur largimin e Kryekomisarit, Ilririan Zylyftari , nga detyra e Drejtorit të Interpolit dhe emërimin e tij në një detyrë disa shkallë më të ulët. Vendimi i marrë në Komisionin e Emërtesave pritet tashmë të firmoset dhe nga Zëvendësministri, Igli Toska.
I kontaktuar me telefon nga Televizioni Klan, Ilirian Zylyftari është shprehur se nuk ka ende një komunkim zyrtar dhe nuk i është bërë i njohur asnjë argument mbi motivacionin e kësaj uljeje në detyrë. Zylyftari shprehet se është i gatshëm të vazhdojë të shërbejë në radhët e Policisë së Shtetit. Në më pak se dy muaj janë përjashtuar, jo pak oficerë me grada të larta dhe poste drejtuese. Kështu Neritan Nallbati dhe Ilirjan Dida janë përjashtuar me motivacionin si të implikuar. Pajisja me pasaportë, me dokumentacion të parregullt të disa anëtarëve të bandës “Hakmarrja për Drejtësi” dhe fshehja e disa veprimeve kriminale të tyre kanë penalizuar me shkarkim apo pezullime nga detyra mjaft shefa krimesh dhe oficerë të lartë policie në Drejtorinë e Vlorës dhe Durrësit. Shkarkime dhe lëvizje të tjera në radhët e Policisë së Shtetit priten sërish të mërkurën, ditë kur Komisioni i Emërtesave do të mblidhet sërish./tvklan.al