Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nuk do të lejojmë që të vazhdojë tregtia e pandershme e barnave, duke bërë që farmacistët të pasurohen mbi jetën e shqiptarëve. Ministri i Shëndetësisë Leonard Solis ka deklaruar gjatë një konference për shtyp, se pavarësisht nga kostoja, nuk do të lejohen spekulime me çmimin e shitjes së medikamenteve të ndryshëm.

Leonard Solis:- “Ndalimi i kontrabandës të medikamenteve, nëpërmjet forcimit të strukturave të kontrollit do të jetë prioriteti ynë. Ne duhet ta lejojmë farmacistin, për të siguruar marzhin e tij të fitimit, por nuk do të lejojmë kontrabandën, tregtinë e pa ndershme, shitblerjen e ilaçeve si domatet, rritjen e çmimeve sipas dëshirës, duke rënduar në xhepat e pacientëve shqiptarë. Unë di të vegjetojë në karrigen elektrike ku jam ulur, sepse jam vegjetarian nga natyra edhe mund të përgëzohem edhe mund të detyrohem, por e gjitha kjo do të jetë afat shkurtër”.

Ministri Solis iu është kundërpërgjigjur akuzave që kanë bërë për shkarkime të padrejta siç ishte rasti i drejtoreshës së farmaceutikës në ministri. 

Leonard Solis:- “Jam shumë i kënaqur që e kam shkarkuar dhe mendojë që kam fituar vite të tëra kohë duke shkarkuar atë njeri, jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe i kam të gjitha argumentet, që njerëz të tillë duhen hequr vazhdimisht”.

Objekti i konferencës ishte prezantimi i reformave që kjo ministri ka vendosur të zhvillojë në sistemin shëndetësor gjatë vitit 2004. Ministri Solis dhe drejtori i QSUT Mihal Taso, kanë deklaruar se do të bëhet një ndërhyrje radikale në sistemin shëndetësor shqiptar./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka